Kadaj-Bujupi nervozohet me deputetët e LDK-së që janë kundër marrëveshjes për Sejdiun: Kurti ka legjitimitet të plotë që në zgjedhjet e ardhshme t’u kërkojë qytetarëve 80 deputetë

Këshilltarja e ish-presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar pas qëndrimeve të disa deputetëve të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës. Përmes një reagimi në Facebook, Kadaj-Bujupi ka kritikuar LDK-në dhe partitë e tjera për qëndrimin ndaj kandidaturës që ajo e konsideron konsensuale, transmeton lajmi.net.…

Lajme

01/09/2026 19:03

Këshilltarja e ish-presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar pas qëndrimeve të disa deputetëve të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës.

Përmes një reagimi në Facebook, Kadaj-Bujupi ka kritikuar LDK-në dhe partitë e tjera për qëndrimin ndaj kandidaturës që ajo e konsideron konsensuale, transmeton lajmi.net.

Ajo ka thënë se, nëse kjo kandidaturë nuk merr mbështetjen e nevojshme, atëherë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, do të kishte bazë që në zgjedhjet e ardhshme t’u kërkonte qytetarëve një numër më të madh deputetësh.

“Pas destruktivitetit të treguar nga LDK-ja dhe partitë e tjera, që po kulmon me mosvotimin e një kandidati konsensual, aq shumë të kërkuar dhe të propozuar nga vetë LDK-ja, Albin Kurti ka legjitimitet të plotë që në zgjedhjet e ardhshme t’u kërkojë qytetarëve 80 deputetë”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.

Sipas saj, nuk është e arsyeshme që të kërkohet konsensus dhe më pas të refuzohet një marrëveshje kur ajo arrihet.

“Nëse konsensusi kërkohet vetëm për t’u refuzuar kur arrihet, atëherë kërkesa për një mandat që do ta tejkalonte këtë bllokadë është e arsyeshme”, ka deklaruar ajo.

Reagimi i saj vjen në kohën kur brenda LDK-së ka deputetë që kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e presidentit./lajmi.net/