Abdixhiku siguron mbështetjen për negociata me Kurtin, “selam” kundërshtarëve të tij: Delegatët kërkuan nga deputetët që ta respektojnë këtë orientim politikë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se, përveç rikonfirmimit të tij në krye të partisë, delegatët e Kuvendit të Jashtëzakonshëm kanë mbështetur edhe vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e stabilitetit institucional në vend, duke i dhënë dritën e gjelbër vazhdimit të negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje. Në konferencën për media…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se, përveç rikonfirmimit të tij në krye të partisë, delegatët e Kuvendit të Jashtëzakonshëm kanë mbështetur edhe vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e stabilitetit institucional në vend, duke i dhënë dritën e gjelbër vazhdimit të negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në konferencën për media pas përfundimit të Kuvendit, Abdixhiku tha se delegatët miratuan një deklaratë politike, përmes së cilës mbështetën orientimin e LDK-së për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe për të vazhduar përpjekjet për krijimin e institucioneve, transmeton lajmi.net.
Ai tha se me këtë vendim, delegatët u kanë kërkuar edhe deputetëve të LDK-së që ta respektojnë këtë orientim.
“Siç e patë për dytën herë këtë vit, LDK dëshmoi demokraci maksimale. Delegatët e LDK-së në mënyrë shumë demokratike dhanë drejtim jo vetëm për lidershipin e partisë por edhe për drejtimin vlerorë, programor të kësaj shtëpie të madhe politike, jam falënderues për delegatët mbështetës që kanë rikonfirmuar rezultatin e janarit dhe jam mirënjohës për delegatët tjerë që ndajnë mendime ndryshe në këtë drejtim, të gjithë jemi zotuar që të punojmë bashkë, të bashkohemi rreth misionit tonë të përbashkët. Siç thashë, ky Kuvend ka qenë i panevojshëm, i pakohë, i padobishëm për LDK-në sepse na ka mbajtur pa arsye temë tash e disa muaj. Në këtë periudhë kemi lënduar mbështetësit tanë. Rezultati i tanishëm është i asaj mbi çka qëndrojmë, mbi të gjitha është detyrim i bashkimit të LDK-së, reformës së LDK-së dhe mbi të gjitha dhënies së kontributit partiak në stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që ne ekzistojmë për qytetarët e Kosovës, jo për beteja të brendshme partiake. Karrigat janë të përkohshme, vijnë e shkojnë, por LDK ka mision shumë më të madhe që Republikës së Kosovës t’i jap stabilitet. Në këtë drejtim, LDK pas një pauze, miratoi një deklaratë të cilën do ta bëj publike shumë shpejtë dhe mori një vendim. Deklarata ka të bëj me gjendjen politike të Kosovës, delegatët me votë shumicë mbështetën përpjekjen tonë për të siguruar stabilitet institucional në Kosovë dhe për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ky është vullneti politikë i delegatëve të LDK-së. Me këtë deklaratë, delegatët kërkuan edhe nga deputetët e LDK-së, nga kryesia e LDK-së, nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që të respektojnë në plotëni këtë orientim partiak dhe të implementojnë këto vendime deri në masën përfundimtare të tyre.”, tha ai ndër të tjera.
Me këtë vendim, Abdixhiku siguroi jo vetëm mbështetjen për të vazhduar në krye të LDK-së, por edhe për të vijuar negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje të mundshme që do të mundësonte krijimin e institucioneve të reja. Delegatët, njëkohësisht, u kanë dërguar një mesazh edhe zyrtarëve dhe deputetëve të partisë që ta respektojnë këtë vendim politik./lajmi.net/