Lumir Abdixhiku i mbijeton votimit, mbetet kryetar i LDK-së
Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ka marrë mbështetjen e delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë. Sipas informacioneve të fundit, në votimin për shkarkimin e tij, 170 delegatë kanë votuar kundër shkarkimit të Abdixhikut, ndërsa 152 kanë votuar pro largimit të tij nga pozita e…
Lajme
Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ka marrë mbështetjen e delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë.
Sipas informacioneve të fundit, në votimin për shkarkimin e tij, 170 delegatë kanë votuar kundër shkarkimit të Abdixhikut, ndërsa 152 kanë votuar pro largimit të tij nga pozita e kryetarit të LDK-së, transmeton lajmi.net.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së u mbajt me pjesëmarrjen e 325 delegatëve nga gjithsej 355 sa ka partia. Punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura për media pas përfundimit të fjalimit të Abdixhikut.
Gjatë adresimit të tij para delegatëve, Abdixhiku kritikoi nismën për mbajtjen e këtij Kuvendi, duke e cilësuar të gabuar dhe të parakohshme. Ai tha se kjo ditë nuk duhej të ishte një përpjekje për rrëzimin e kryetarit, por një moment për të diskutuar të ardhmen e partisë.
Kjo ishte përpjekja e dytë brenda këtij viti për shkarkimin e Abdixhikut. Edhe në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të 31 janarit, iniciativa për largimin e tij nuk kishte kaluar./lajmi.net/