Abdixhiku sulmon kundërshtarët: Populli po na sheh, këtë Kuvend nuk e ndjej as nuk e shoh si festë, s’jemi mbledhur për të zgjedhur, por për të rrëzuar

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbajtur një fjalim para delegatëve të partisë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm që është duke u mbajtur. Abdixhiku tha se kjo është një ditë e rëndë për të pasi duhet të qëndroj përballë njerëzve me të cilët ka qëndruar rreth një ideje. Ai po ashtu sulmoi kundërshtarët e brendshëm të…

Lajme

30/07/2026 19:09

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbajtur një fjalim para delegatëve të partisë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm që është duke u mbajtur.

Abdixhiku tha se kjo është një ditë e rëndë për të pasi duhet të qëndroj përballë njerëzve me të cilët ka qëndruar rreth një ideje.

Ai po ashtu sulmoi kundërshtarët e brendshëm të partisë duke thënë se ky Kuvend do të mbahet mend si ditë kur LDK u mbledh për të rrëzuar një kryetar e jo për të zgjedhur, transmeton lajmi.net.

Ai tha se nga ky Kuvend, LDK nuk do të del as më e fortë, as më e bashkuar.

Më poshtë një pjesë e fjalimit të Abdixhikut:

Pesë vite më parë kur e mora për herë të parë karrigen e kryetarit të LDK-së, e kam ditur që nuk më përkiste përjetësisht. Ishte një besim i dhënë përkohësisht nga ju, duhet mbajtur me nder dhe një ditë do t’i rikthehej sërish kësaj shtëpie. Gjatë këtyre pesë viteve, kjo detyrë është bërë pjesë e jetës sime, kam jetuar me barrën e saj, kam përjetuar gëzimin e çdo suksesi të LDK-së dhe peshën e çdo humbje të saj. Ka pasur ditë kur kjo shtëpi më ka dhënë krenarin më të madhe, ka pasur ditë kur më ka rënduar më shumë se ç’mund të bartë një njeri e ç’mund ta kenë treguar ndonjëherë. Nuk kam qenë as i përkryer, e as i pagabueshëm, kam marrë vendime që kam mundur t’i marrë ndryshe, kam marrë vendime që s’mund t’i merrja ndryshe, mund të ju kem bërë krenar e mund të ju kem lënduar pa ndonjë dashje. Por, një gjë mund të ja u them me ndërgjegje të plotë se asnjë vendim, asnjë veprim dhe asnjë sjellje nuk e kam marrë duke menduar për vetën para LDK-së. Kjo shtëpi politike ka qenë familja ime, si prijës i saj kam mbrojtur familjen time, me çdo çmim, me çdo kusht, me aftësinë e dijen më të mirë timen dhe këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju, e kam bërë edhe me disa prej atyre që sot kanë kërkuar këtë Kuvend, kemi punuar bashkë, kemi besuar tek njëri-tjetri dhe kemi mbajtur së bashku përgjegjësin për LDK-në. Sot mund të kemi dallime të thella, por ato nuk mund të fshinë rrugën që kemi bërë së bashku. Nuk mund dhe nuk duhet të na bëjnë të huaj. Pikërisht për këtë, kjo ditë nuk është e lehtë për mua. Jo për shkak të karriges, por sepse është e rëndë të qëndrosh përballë njerëzve që ke ecur gjatë dhe të kuptosh se sot nuk na ka mbledhur ajo që duam të ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa për të rrëzuar njërin prej nesh. Përpara se të jemi kundërshtarë në këtë çështje, kemi qenë dhe jemi bashkëpunëtor. Përpara se të ndahemi prej një emri, kemi qëndruar bashkë rreth një ideje dhe pasi kjo ditë të kalojë, ajo ide duhet të mbetet, është LDK.

Pikërisht për këtë do të ju flas hapur, jo vetëm si kryetar i juaj, por si një prej jush, si njëri që e ka dashur këtë shtëpi para se të udhëhiqte atë dhe do ta dojë pa kusht edhe kur mos te udhëheq më, prandaj më lejoni të flas nga zemra siç do t’i flisja familjes sime. Sot jemi mbledhur në Kuvend të Jashtëzakonshëm të LDK-së të dytin këtë vit, të katërtin në pesë vite të mandatit tim, të thirrur me kërkesën e së paku të 1/3 së delegatëve të Kuvendit tanë. Këtë Kuvend nuk e kam thirrur, ky Kuvend është thirrur. Thirrja e Kuvendit nga delegatët tanë është një mekanizëm krejt demokratik. Më duhet të them me keqardhje të madhe, që këtë Kuvend as nuk e ndjej e as nuk e shoh si festë dhe të mbeteni të sigurt që as anëtarësia jonë, e lënduar shumë, as nuk e sheh dhe as nuk e ndjen të tillë sepse për herë të parë në historinë tonë 37 vjeçare nuk po mblidhemi për të zgjedhur, por po mblidhemi për të rrëzuar, për këtë është mbledhur LDK-ja sot. Pavarësisht rezultatit përfundimtar, një gjë do të mbetet e sigurte se në historinë historike të LDK-së, 30 korriku do të mbetet si dita i kryetarit të partisë ishte motiv i mbledhjes sonë. Kur rrëzimi është qëllimi i shtëpisë së lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, kur në rrëzim e rreth rrëzimit provohet të reduktohet kjo shtëpi, atëherë LDK as nuk del më e fortë, as nuk del më e organizuar dhe më besoni as nuk del më e bashkuar.  

Funksionarët partiakë mund të gjejnë edhe gjuhën e përbashkët një ditë, e kanë gjetur shpeshherë, edhe kur nuk ta merr mendja. Por, populli, ata që na votojnë, ata për të cilët ekziston si parti, kur e sheh LDK-në kështu ndahet nga ne dhe të jeni të sigurt populli po na sheh.  Të lënduar nga Kuvende si ky, mund të mbesim vetëm ne. Iniciatorët kanë mundur të presin pak muaj nga sot, kjo karrige këtu mund të ishte e lirë për secilin që mendon se e meriton. Por, ja që kjo rrugë u zgjodhe, le ta kapërcejmë këtë sfidë sot me qetësi me shumë maturi dhe demokraci. Kjo nismë është e gabuar, e pavend, e pakohë, jo sepse ka në shënjestër kryetarin e LDK-së, askush prej nesh nuk është më i madhe se kjo parti. E konsideroj të gabuar këtë Kuvend sepse vjen në mënyrë të njëanshme, vjen në një kohë të ndjeshme për vendin, vjen në një periudhë përcaktuese për partinë tonë. E konsideroj të gabuar sepse vjen pak muaj pasi mbajtëm Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe pak muaj para se të kemi Kuvendin e rregullt të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së. Çka është bërë me keq sot se para 31 janarit, që ky Kuvend të thirret sot në këtë kohë? LDK ka rezultat më të mirë se në Kuvendin kur është vendosur për vazhdim. Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat të keq, e rrëzohet me rezultat më të mirë? Të drejtën e Zotit për pakënaqësi për rezultatin, rrugëtimin, e ka secili. Të drejtën për të premtuar vendin e parë në vetëm 2-3 muaj kohë, ka secili, edhe ata që na vendosin rekorde më të ulëta historike, edhe ata që na vendosën për herë të parë në vendin e tretë, nga i cili vend na duhen vite e vite kohë për të dal dhe ja ku jemi sërish, edhe ata që në zgjedhje vëzhgojnë e pas zgjedhjeve zgjohen, të drejtën për pakënaqësi e ka secili. Kjo e drejtë duhej të vendosej në zgjedhje të rregullta partiake që na vijnë pak muaj nga sot./lajmi.net/