Kusari-Lila e vesh petkun e patriotes, sulmon Edi Ramën për marrëveshjen me Serbinë për hapje të konsullatave në Bujanoc dhe Shkodër

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj diskutimeve për hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Preshevë, duke kundërshtuar idenë se ky veprim duhet të shoqërohet me hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër. Përmes një postimi, Kusari-Lila tha se Konsullata e Shqipërisë në Preshevë është një akt…

Lajme

30/07/2026 19:55

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj diskutimeve për hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Preshevë, duke kundërshtuar idenë se ky veprim duhet të shoqërohet me hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër.

Përmes një postimi, Kusari-Lila tha se Konsullata e Shqipërisë në Preshevë është një akt i natyrshëm diplomatik, që synon t’u shërbejë shqiptarëve të Luginës së Preshevës në trojet e tyre autoktone.

Ajo vlerësoi se krahasimi me një konsullatë të Serbisë në Shkodër është i gabuar politikisht dhe historikisht, duke theksuar se Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe të zhvillojë fushatë kundër njohjeve ndërkombëtare të saj.

Sipas Kusari-Lilës, nuk mund të flitet për reciprocitet diplomatik me një shtet që, siç tha ajo, vazhdon ta mohojë sovranitetin e Kosovës.

“Nuk mund të ketë normalizim të plotë me një shtet që vazhdon të mohojë një realitet të pakthyeshëm: Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar ajo.

Në fund, Kusari-Lila theksoi se hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Preshevë nuk kërkon dhe nuk imponon asnjë “kundërpeshë” në Shkodër, pasi bëhet fjalë për dy çështje me kontekste krejtësisht të ndryshme.

Postimi i plotë: 

Hapja e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Preshevë është një akt i natyrshëm diplomatik, që synon t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët jetojnë në trojet e tyre autoktone dhe për dekada kanë kërkuar më shumë mbështetje institucionale, kulturore dhe konsullore nga shteti shqiptar.
Përpjekja për ta paraqitur hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër si “balancë” apo “reciprocitet” është një paralele e gabuar, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë historik.
Shqipëria nuk e konteston shtetësinë, sovranitetin apo integritetin territorial të Serbisë. Përkundrazi, Serbia vazhdon ta mohojë ekzistencën e Republikës së Kosovës, kundërshton anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe vazhdon një fushatë të pandërprerë diplomatike kundër njohjeve të Kosovës. Edhe gjatë vitit 2026, zyrtarët më të lartë serbë kanë përsëritur se nuk do ta njohin Kosovën dhe vazhdojnë ta trajtojnë atë si pjesë të territorit të Serbisë.
Në këto rrethana, kur retorika hegjemone dhe shoviniste e Beogradit zyrtar ndaj sovranitetit të Kosovës nuk është ndalur, por vazhdon të jetë pjesë e politikës shtetërore, nuk mund të flitet për simetri politike apo diplomatike.
Historia e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Serbisë bart një peshë të rëndë. Luftërat, spastrimi etnik, krimet e kryera në Kosovë dhe mungesa e përgjegjësisë shtetërore nga Serbia për të kaluarën e saj e bëjnë edhe më të papërshtatshme relativizimin e këtyre realiteteve përmes një “barazimi” artificial.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet faktor stabiliteti në rajon, duke mbështetur dialogun, integrimin euroatlantik dhe fqinjësinë e mirë. Por fqinjësia e mirë ndërtohet mbi respekt reciprok. Nuk mund të ketë normalizim të plotë me një shtet që vazhdon të mohojë një realitet të pakthyeshëm: Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Prandaj, hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Preshevë nuk kërkon dhe nuk imponon asnjë “kundërpeshë” në Shkodër. Këto janë dy çështje krejtësisht të ndryshme, me kontekste historike, politike dhe juridike të pakrahasueshme. Diplomacia nuk ndërtohet mbi ekuacione artificiale, por mbi realitetin, respektin reciprok dhe vlerat demokratike./lajmi.net/

<