Ministria e transportit ia lë fajin shoferit për aksidentin tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”: Rruga nuk ndikoi në aksidentin fatal
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës për aksidentin tragjik të 14 qershorit në autostradën Autostrada “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare, ka konstatuar se shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të automjetit nga ana e shoferit. Sipas njoftimit të ministrisë, raporti…
Lajme
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës për aksidentin tragjik të 14 qershorit në autostradën Autostrada “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare, ka konstatuar se shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të automjetit nga ana e shoferit.
Sipas njoftimit të ministrisë, raporti i Policisë së Kosovës konfirmon se drejtuesi i automjetit fillimisht ka goditur sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore të autostradës.
“Pas publikimit të Raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, është konfirmuar se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin nga drejtuesi i tij”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Postimi i plotë:
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se sot është publikuar Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës lidhur me aksidentin tragjik të datës 14 qershor në Autoudhën “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare.
Pas publikimit të Raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, është konfirmuar se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin nga drejtuesi i tij, i cili fillimisht ka goditur sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore.
Raporti zyrtar konstaton gjithashtu se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit.
Përkundër pretendimeve dhe akuzave të bëra publikisht menjëherë pas ngjarjes, gjetjet zyrtare të institucioneve kompetente dëshmojnë se ato nuk kanë qenë të bazuara në fakte.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit konsideron se humbja e një jete njerëzore nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike apo mediatike. Në raste të tilla, përgjegjësia institucionale dhe shoqërore kërkon respekt për dhimbjen e familjes, si dhe referim të kujdesshëm në faktet dhe hetimet zyrtare.
Ftojmë të gjithë akterët publikë që para deklarimeve dhe akuzave të presin rezultatet e institucioneve përgjegjëse dhe të kontribuojnë në informimin e drejtë të qytetarëve.
Ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerës. Qoftë i përhershëm kujtimi i saj./Lajmi.net/