11 milionë euro nga buxheti i Kosovës shkuan për polisat e mërgimtarëve, veç në 2025 Qeveria Kurti pagoi mbi 4.5 milionë euro

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 27 qershor të vitit 2025 pati marrë vendim për ndarjen e 4,000,000 eurove për polisën e sigurimit për bashkatdhetarët. Kryeministri në detyrë Albin Kurti  pati thënë se polisa merret nga data 1 korrik 2025. “Edhe sivjet duke filluar nga data 1 korrik bashkatdhetarët do të…

Lajme

01/05/2026 11:51

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 27 qershor të vitit 2025 pati marrë vendim për ndarjen e 4,000,000 eurove për polisën e sigurimit për bashkatdhetarët.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti  pati thënë se polisa merret nga data 1 korrik 2025.

“Edhe sivjet duke filluar nga data 1 korrik bashkatdhetarët do të mund të marrin polisën e sigurimit të subvencionuar. Për këtë qëllim sot do të ndajmë 4,000,000 euro.” – tha ai.

Derisa, ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati tha se mjetet merren nga Nënprogrami i Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Siç edhe e paralajmëroi Kryeministri sot do të ndajmë shumën në vlerë 4,000,000 euro. Mjetet merren nga Nënprogrami i Pakos së Ringjalljes Ekonomike.” – shtoi Murati.

Polisa e sigurimeve për mërgimtarët financohet nga Qeveria e Kosovës që nga viti 2021, saktësisht 2026-ta është viti i gjashtë me radhë që Qeveria e Kosovës e financon këtë polisë.

E krejt kjo nga qytetarët ishte parë si mjet për ta mbajtur mërgatën sa më afër Lëvizjes Vetëvendosje, duke tentuar që t’ua bëjnë pagesat e polisave si shenjë “përkrahje” për ta teksa natyrisht krejt këto pagesa kryhen nga xhepi i qytetarëve.

E për gjithë këto vite, 10 milionë e 848 mijë e 899 euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës polisa e sigurimit për mërgimtarët e Kosovës, e që për një person për 15 ditë kushton 30-40 euro, apo për një vit 200 euro- që nëse mendohet mirë për një mërgimtarë me pagë të qëndrueshme e shumë më të lartë se një pagë në Kosovë kjo pagesë do ishte krejt simbolike, por për buxhetin e shtetit i bie shifër shumë e lartë.

E krejt kjo nga qytetarët ishte parë si mjet për ta mbajtur mërgatën sa më afër Lëvizjes Vetëvendosje, duke tentuar që t’ua bëjnë pagesat e polisave si shenjë “përkrahje” për ta teksa natyrisht krejt këto pagesa kryhen nga xhepi i qytetarëve.

Ministria e Financave përmes një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se vetëm në vitin 2021, Qeveria i ka shpenzuar 2 milionë e 971 mijë e 241 euro për subvencionimin e polisave të sigurimeve për mërgimtarët.

Në vitin 2022 janë shpenzuar 738 mijë e 716 euro, në 2023-ën u shpenzuan 19 mijë e 973 euro, në vitin 2024 2 milionë e 582 mijë e 723 euro ndërsa në vitin 2025 janë shpenzuar 4 milionë e 536 mijë e 246 euro.

Viti që kemi lënë pas ka qenë më i shtrenjti për buxhetin e Kosovës sa i përket pagesave së këtyre polisave kufitare.

Ky vendim erdhi si pjesë e masave mbështetëse ndaj diasporës, e cila konsiderohet një nga kontribuuesit kryesorë në ekonominë e vendit përmes remitencave dhe investimeve.

Polisa kufitare është e detyrueshme për të gjithë ata që nuk posedojnë sigurim ndërkombëtar të njohur si “Green Card”, dhe zakonisht mbulon dëmet ndaj palëve të treta në rast aksidenti. Para vitit 2021, kjo kosto paguhej tërësisht nga vetë qytetarët, ndërsa me vendimin e Qeverisë ajo është mbuluar pjesërisht apo plotësisht nga buxheti i shtetit gjatë sezonit veror.

Ky subvencionim është bërë çdo vit, kryesisht gjatë muajve të verës kur fluksi i mërgimtarëve është më i madh, duke reflektuar një politikë të vazhdueshme për të inkurajuar ardhjen e diasporës në Kosovë dhe për të ulur barrën financiare për ta.

Megjithatë, kjo masë ka ngjallur edhe debat publik ndër vite, për shkak të kostos së saj për buxhetin e shtetit dhe prioritizimit të shpenzimeve publike, sidomos duke pasur parasysh rritjen e shumës së ndarë nga viti në vit.

Ndryshe ishte instituti GAP që pati publikuar publikuar raportin “Pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit”.

Me këtë rast, raporti vlerëson se pagesa e polisave kufitare nga buxheti i shtetit nuk do duhet të shërbejë si praktikë edhe në vitet e ardhshme. Kjo për shkak që sipas raportit, është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare.“Në vend të kësaj, në periudhë afatshkurtër, Qeveria e Kosovës, BQK dhe BKS duhet të ua mundësojnë pjesëtarëve të mërgatës dhe të huajve që hyjnë në Kosovë, që polisat kufitare t’i paguajnë në mënyrë elektronike (‘online’) me qëllim të shkurtimit të kohës për pritjet në kufi. Në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30% në 5%, dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”. Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e sistemit të “Kartonit të Gjelbër”, një mekanizëm i përbashkët i 48 shteteve për sigurimin e viktimave të aksidenteve motorike ndërkufitare”.

E sigurisht se pagesat e polisave i shërbyen Vetëvendosjes edhe në fushata zgjedhore, kur fokusi i kësaj partie është gjithnjë e më i lartë tek mërgata që në zgjedhjet e kaluara ia garantoi edhe një përqindje të lartë të votave duke vendosur datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor atëherë kur ata kishin pushimet e ardhja në Kosovë iu bë shumë e lehtë.

Madje zgjedhjen e kësaj date si datë konvenuese për Kurtin dhe VV-në tërthorazi e pati konfirmuar edhe vetë ish-presidentja Vjosa Osmani.

Ajo mes rreshtave “ka rrëshqitur” duke lënë të nënkuptohet se 28 dhjetori ishte përzgjedhje e qëllimshme e datës së zgjedhjeve për hir të Kurtit.

“Pra, a ia pasna organizuar unë pas shtatorit puçin zotit Kurti, duke ia dhënë datën 28 dhjetor, a duke ia hequr masat Kosovës?” deklaroi Osmani ndër të tjera.

“Sikur këto sulme të drejtoheshin nga Vuçiqi e Serbia, që ka kryer akt agresioni ndaj Kosovës, atëherë do të arrinim shumë. Por për fat të keq kanë gjetur gjuhë të linçimit ndaj meje, pa asnjë dëshmi të vetme. Unë i bëj thirrje të gjithëve, nga Kryeministri Kurti deri te deputeti i fundit: le të paraqesin faktet, ku i keni faktet, ku i keni dëshmitë, që Presidentja e Kosovës është involvuar në ndonjë komplot”, tha Osmani./Lajmi.net/