Për një javë 18 raste të reja me fruth, nga prilli gjithsej 242 raste

Nga prilli, numri i mostrave për të konfirmuar fruthin janë shtuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Njësoj situata po vazhdon të jetë edhe tash, gjashtë muaj pas. Për rastet e reja që janë konfirmuar në javën e fundit foli specialisti i shëndetit publik, Faik Hoti. “Në përditësimin e fundit të Institutit Kombëtarë kemi regjistruar…

Lajme

01/11/2026 23:02

Nga prilli, numri i mostrave për të konfirmuar fruthin janë shtuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Njësoj situata po vazhdon të jetë edhe tash, gjashtë muaj pas.

Për rastet e reja që janë konfirmuar në javën e fundit foli specialisti i shëndetit publik, Faik Hoti.

“Në përditësimin e fundit të Institutit Kombëtarë kemi regjistruar 242 raste të fruthit të cilat i takojnë periudhës nga 16 prilli deri me 26 tetor, pra nëse i shohim raportet e fundit dhe përditësimet javore mund të themi që çdo javë po regjistrohen raste të reja të fruthit kryesisht tek fëmijët e pavaksinuar”, ka deklaruar Hoti.

Por a ka rrezik që situata të bëhet më serioze me përhapjen e këtij infeksioni?

“Në kuptimin e shifrave të përgjithshme situata është e kontrollueshme, gjithmonë ka angazhime shtesë për vaksinim të rregullt, por ne e marrim shumë seriozisht sepse fruthi është sëmundje me komplikime serioze”, Faik Hoti, specialist i shëndetit publik.

Pas rasteve të reja, në Klinikën Infektive po vazhdojnë të hospitalizohen pacientë që kanë të nevojë për trajtim nga fruthi.

“Momentalisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar rreth 19 pacientë të konfirmuar me fruth, disa janë pritje të rezultateve, pra janë si të dyshimtë për morbillë, pra pastaj na vijnë konfirmimet për rezultatet e tyre, por që ky numër lëviz kohë pas kohe në bazë të vizitave ambulantore apo për pacientët që kërkojnë trajtim”, ka theksuar Lirim Tafilaj, Infektolog.

Sipas IKSHPK-së, në Prishtinë gjatë gjashtë muajve të fundit janë konfirmuar 83 raste, 58 në Fushë-Kosovë e 25 në Ferizaj, kurse grupmosha më e prekur është 12 deri në 24 muaj, në 93 raste.