Tahiri: Sot shpëtoi demokracia në Kosovë – AAK do të rikthehet fuqishëm në zgjedhje
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur para mediave pasi është shpërndarë Kuvendi i Kosovës. Ai ka thënë se sot ka përfunduar episodi i fundit ik një “thrilleri politik” të një kohe që ka thënë se çdo qytetar po e mban në ethe. “Edhe në seancën e fundit, kryeministri i Kosovës e…
Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur para mediave pasi është shpërndarë Kuvendi i Kosovës.
Ai ka thënë se sot ka përfunduar episodi i fundit ik një “thrilleri politik” të një kohe që ka thënë se çdo qytetar po e mban në ethe.
“Edhe në seancën e fundit, kryeministri i Kosovës e keqpërdori foltoren, duke e sulmuar skajshmërisht opozitën dhe duke u munduar ta hedhë fajin tek ajo për një gjendje mjaft dëshpëruese, të cilën e ka sjellë vetë. Edhe sonte u shfaq mllefi që buron nga nevoja e tij për të marrë dhe mbajtur pushtetin. U fol shumë për pushtetin e votës, por në asnjë moment nuk u fol për përgjegjësinë që populli i Kosovës, me votë, ia ka dhënë partisë së parë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se Kurtit nuk i mjaftuan 66 deputetë dhe 51% që të arrihej një marrëveshje për një President unifikues.
“Kjo është për keqardhje dhe dhimbje. Megjithatë, ajo që dua të theksoj është se sot shpëtoi demokracia, e cila është fituar me mund, sakrificë dhe shumë gjak. Sot fitoi Kosova, nuk iu nënshtruam diktatit të numrave dhe e zmbrapsëm një opsion politik që ka qenë recidivist në shkelje kushtetuese”, ka shtuar Tahiri.
Ai ka thënë se AAK do të rikthehet fuqishëm.
“Ky është një moment mjaft sfidues për të gjithë ne. Vendi po shkon në zgjedhje dhe besojmë se ky do të jetë një rikthim i fuqishëm i AAK-së, me një mobilizim të madh që buron nga qëndrueshmëria dhe fakti që në asnjë rrethanë nuk u dorëzuam, edhe kur u përpoqën të na nënçmojnë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/