Deliu-Kodra kritikon Qeverinë që po nxitohet me projektligjet: Po tenton t’i kalojë me shpejtësi, jo sepse janë urgjencë, por sepse i duhen për propagandë elektorale

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ekzekutivin për mënyrën se si po trajtohen disa projektligje në Kuvend, duke e akuzuar Qeverinë Kurti për përshpejtim të qëllimshëm të procedurave parlamentare. Ajo tha se në këtë periudhë, kur po afrohet edhe afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Qeveria po sjell ligje me…

Lajme

24/04/2026 12:52

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ekzekutivin për mënyrën se si po trajtohen disa projektligje në Kuvend, duke e akuzuar Qeverinë Kurti për përshpejtim të qëllimshëm të procedurave parlamentare.

Ajo tha se në këtë periudhë, kur po afrohet edhe afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Qeveria po sjell ligje me procedura të përshpejtuara dhe pa debat të mjaftueshëm publik, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, projektligjet që kanë qëndruar për një kohë të gjatë pa u trajtuar, tani po procedohen me nxitim, gjë që ajo e lidh me zhvillimet politike dhe zgjedhjet e mundshme.

“Na ndajnë vetëm pak ditë deri në përmbylljen e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që atë që po e shohim në seancat plenare dhe në punimet e Kuvendit është që Qeveria Kurti po bën atë që nuk guxon ta bëjë. Pra, po sjell ligje me urgjencë artificiale pa debat publik, pa konsultim real dhe pa respektim të procedurave parlamentare. Komisionet e Kuvendit janë ngulfatur qëllimshëm me projektligje të cilat kjo Qeveri i ka mbajtur në sirtar për vite me radhë. Tash në kohën kur po diskutohet për zgjedhje të reja Qeveria po tenton t’i kalojë me shpejtësi, jo sepse të njëjtat ligje janë urgjencë për qytetarët, por sepse i duhen për propagandë elektorale”, tha Deliu.

Ajo e ka cilësuar këtë qasje si të dëmshme për procesin parlamentar dhe mungesë respekti ndaj procedurave institucionale./lajmi.net/