Çitaku: Engel ndërtoi ura të fuqishme për Kosovën në SHBA

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur në seancën përkujtimore të mbajtur në nderim të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, e cila ka nisur në orën 10:00 dhe i është kushtuar figurës së tij pas vdekjes më 10 prill. Çitaku ka rikujtuar periudhën kur kishte shërbyer si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,…

Lajme

24/04/2026 11:11

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur në seancën përkujtimore të mbajtur në nderim të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, e cila ka nisur në orën 10:00 dhe i është kushtuar figurës së tij pas vdekjes më 10 prill.

Çitaku ka rikujtuar periudhën kur kishte shërbyer si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar rolin e Engel në ndërtimin e lidhjeve të forta të Kosovës me politikën amerikane, transmeton lajmi.net.

“Më kujtohet dita kur zbrita si ambasadore në ShBA, peizazhi politik në Amerikë kishte ndryshuar shumë. Kishte shumë kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të lartë që kishin marrë detyra të reja dhe shumë prej tyre nuk kishin lidhje historike, politike dhe emocionale me Kosovën. Diçka e pazakontë ndodhte vazhdimisht sa herë flisja për Kosovën: përballë meje nuk kishte habi, nuk kishte pyetje të para, kishte buzëqeshje të lehtë dhe pohim të qetë: E dimë… dhe pastaj si një refren që përsëritej në çdo cep të Washingtonit: Na ka treguar Eliot Engel. Pastaj e kupton nuk po fillonim nga e para, dikush kishte qenë aty para nesh, dikush kishte folur, kishte bindur. Kishte ndërtuar ura të padukshme, por të fuqishme mes një vendi të vogël dhe një bote të madhe”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se Engel kishte lënë gjurmë të thella në politikën amerikane në raport me Kosovën.

“Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz e bëjnë në politikë, kishte lënë gjurmë. Atëherë e kuptova që misioni im ishte më i lehtë, nuk kisha detyrë të ndërtoja miqësi, por t’i nderoja ato që kishte krijuar Eliot Engel për ne”, u shpreh Çitaku./lajmi.net/