Në Policinë e Kosovës s’ka gradime që nga viti 2020, “harrohet” edhe konkursi që u hap për rreshter më 2024 u anulua si shkak i parregullsive
Konkursi për gradën rreshter i cili ishte hapur më 12 shkurt të vitit 2024 në Policinë e Kosovës, nuk përfundoi me sukses, pasi që ai ishte anuluar. Anulimi i këtij konkursi pati ardhur pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka gjetur dobësi në procesin e gradimit për rreshter. Në fakt Inspektorati Policor i Kosovës pati ndërhyrë…
Lajme
Konkursi për gradën rreshter i cili ishte hapur më 12 shkurt të vitit 2024 në Policinë e Kosovës, nuk përfundoi me sukses, pasi që ai ishte anuluar.
Anulimi i këtij konkursi pati ardhur pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka gjetur dobësi në procesin e gradimit për rreshter.
Në fakt Inspektorati Policor i Kosovës pati ndërhyrë në këtë konkurs pas raportimeve të shumta që ishin bërë për shkeljet që u bën në këtë proces.
Shumë zyrtarë policorë kishin aplikuar për konkurs ende pa u bërë zyrtarisht policë të lartë, apo pa kaluar vitet e duhura në kuadër të punës në Policinë e Kosovës. Disa të tjerë kishin siguruar pyetjet e testeve ende pa hyrë, e dikush edhe kishte kopjuar e bashkëpunuar.
Meqenëse procesit të gradimit kishin shprehur interesim t’i nënshtrohet edhe një numër i madh zyrtarësh policor, të cilët nuk kishin kaluar minimumin prej 2 vitesh të qëndrimit në gradën “polic i lartë”, sistemit të konkurrimit elektronik i janë hequr masat e sigurisë lidhur me kriteret e aplikimit duke lejuar aplikimin edhe të shumë zyrtarëve tjerë nga gjenerata e 54-të e Policisë së Kosovës dhe jo vetëm, në kundërshtim me kriteret e aplikimit të parapara me Udhëzim.
Shumë nga këto shkelje ishin zyrtarizuar dhe si shkak u desh të anulohej i gjithë konkursi ani pse kishte vite pa u hapur.
Grada ‘Rreshter’ apo grada e parë që merret në Policinë e Kosovës pasi të jesh polic i lartë njëherësh i hap rrugën mundësisë për gradime të tjera.
E ky konkurs i cili që nga 2024, mbeti pezull, Policia e Kosovës përmes një përgjigje për lajmi.net ka thënë se janë në proces të rishikimit të Udhëzimit Administrativ.
Nga Policia u tha se pas përfundimit të këtij procesi, policia bazuar edhe në strukturën organizative dhe nevojat do vijoj me procedurat e proceseve të gradimit.
“Bazuar në raportin e IPK-ës është kërkuar harmonizimi i Udhëzimit Administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarë policorë, andaj udhëzimi është në proces te rishikimit, pas përfundimit te këtij procesi, Policia bazuar në këto procedura, strukturën organizative të PK-së dhe nevojat do të vijoj me procedura të proceseve të gradimit duke përfshirë edhe për gradën rreshter”, kanë thënë në një përgjigje Policia e Kosovës.
E pas vërejtjeve që kishte dhënë zyrtarisht IPK-ja, vitin e kaluar nga Policia e Kosovës thanë se “Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi”, ka thënë Policia e Kosovës, duke njoftuar se IPK ka vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja.
“Me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024”, thuhej asokohe në komunikatë.
Ndryshe në konkursin e 2024 për gradimin e rreshterit kishin aplikuar 2 mijë 230 kandidatë.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë një datë të saktë apo të përafërt se kur mund të hapet një konkurs i ri për rreshterë në këtë institucion.
Herën e fundit kur janë bërë gradime në Policinë e Kosovës ishte në vitin 2020, kur ishin emëruar 131 togerë. Një vit më parë, më 2019, ishin graduar nëntë majorë dhe 64 kapitenë.
Policia e Kosovës aktualisht ka mbi 10.000 punonjës aktivë, duke përfshirë zyrtarët policorë dhe personelin mbështetës. /Lajmi.net/