Ali Ahmeti: Epopeja e UÇK-së mbetet simbol i qëndresës, unitetit dhe sakrificës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përkujtuar përvjetorin e Epopesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë krenarie dhe kujtese kombëtare për shqiptarët kudo në botë. Në një postim në Facebook, Ahmeti ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe sakrificën e familjes Jashari gjatë luftës…

Lajme

05/03/2026 12:23

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përkujtuar përvjetorin e Epopesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë krenarie dhe kujtese kombëtare për shqiptarët kudo në botë.

Në një postim në Facebook, Ahmeti ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe sakrificën e familjes Jashari gjatë luftës për liri.

“Për çdo shqiptar, anë e mbanë botës, datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë të krenarisë dhe kujtesës kombëtare, ditë kur përkujtojmë përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të popullit tonë”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka përkujtuar edhe figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, duke theksuar sakrificën e familjes së tij në Prekaz.

“Në këto ditë të shënuara kujtojmë me respekt dhe nderim luftën e lavdishme të komandantit legjendar, Adem Jasharit, i cili së bashku me familjen e tij, me prindër, vëllezër, gra e fëmijë, me ‘besa besë’ e me trimëri të pashoq, luftuan përballë forcave të armikut dhe sakrifikuan jetën heroikisht për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet simbol i qëndresës dhe unitetit kombëtar.

“Epopeja e UÇK-së mbetet simbol i qëndresës, unitetit dhe sakrificës. Gjaku i derdhur në Prekaz e anë e mbanë Kosovës na obligon që të ruajmë dhe forcojmë lirinë, të punojmë për unitet kombëtar dhe për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, ka shkruar ai.