Rigjykimi për vrasjen në Hajvali, administrohen provat materiale dhe lexohet deklarata e ekspertit mjeko-ligjor
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin për vrasje dhe armëmbajtje pa leje ndaj Shkumbin Kryeziut, janë administruar provat materiale të listuara si në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Gjithashtu, u lexua edhe deklarata e ekspertit Arsim Gërxhaliu, e dhënë gjatë shqyrtimit të mëparshëm gjyqësor, e cila paraprakisht u…
Lajme
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin për vrasje dhe armëmbajtje pa leje ndaj Shkumbin Kryeziut, janë administruar provat materiale të listuara si në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjithashtu, u lexua edhe deklarata e ekspertit Arsim Gërxhaliu, e dhënë gjatë shqyrtimit të mëparshëm gjyqësor, e cila paraprakisht u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarit Kryeziu.
Fillimisht, gjykatësi i rastit, Ertan Sejfulla kërkoi mendimin e palëve nëse të lexohet deklarata e ekspertit mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliut apo të ftohet edhe një herë për dëgjim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Arben Hoti tha se në parim pajtohet që të lexohet deklarata që përmban, sipas tij, sqarimet e mjaftueshme lidhur me lëndimet e të ndjerit, por se kërkoi Gjykatës të vlerësojë rekomandimin e Gjykatës së Apelit kur kishte kthyer rastin në rigjykim.
Sipas Hotit, Apeli nuk ka specifikuar qartë se cilat rrethana konkrete duhet t’i sqarojë më tutje eksperti Gërxhaliu. Me fjalët e prokurorit, u pajtua pala e dëmtuar përmes avokatit Alban Krasniqi.
Ndërkaq, mbrojtësi i Kryeziut, Florent Latifaj tha se nuk e di se si po vihet në diskutim nga shkalla e parë një rekomandim konkret i Apelit, duke shtuar se nëse veç nuk adresohen rekomandimet e Apelit, duhet të lëshojë sallën e gjykimit.
“Nëse mendoni mos me i pranu rekomandimet e Apelit neve na mbetet vetëm me lëshu sallën edhe me kërku përjashtimin e trupit gjykues”, tha avokati Latifaj.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sejfulla, mori vendim që të lexohet deklarata e ekspertit Gërxhaliu, dhënë në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, duke shtuar se Apeli përmes vendimit ka thënë se duhet të vlerësohet mendimi i ekspertit nëse është e nevojshme të ftohet për sqarim të fakteve të tjera.
Gjykatësi Sejfulla njoftoi se avokati Krasniqi ka dorëzuar parashtresë duke kërkuar që të administrohen prova shtesë, me ç’rast Krasniqi elaboroi shkresën duke deklaruar se ka ekzistuar një tendencë që në procedurën për të mitur ndaj A.K., i akuzuari Kryeziu të marrë barrën e fajit, ndërkaq në procedurën penale ndaj tij është tentuar të thuhet se rol më tepër në vrasje kishte i mituri A.K.
Këtë propozim e përkrahu prokurori Hoti, ndërkaq e kundërshtoi avokati Latifaj, duke shtuar se nuk mund të administrohen ato prova pasi që klienti i tij ose ka cilësinë e dëshmitarit ose të akuzuarit. Tha se në procedurën penale ndaj tij janë dëgjuar dëshmitarë që ndaj tyre ka pasur mundësi të parashtrohen pyetje dhe të sfidohen me deklarimet e thëna.
Trupi gjykues më pas nxori vendim duke refuzuar propozimin e avokatit Krasniqi dhe më pas u kalua në administrim të provave materiale të cilat i listoi dhe elaboroi prokurori Hoti paraprakisht.
Më pas, seanca u ndërpre me kërkesë të avokatit Latifaj që të konsultohet me klientin e tij lidhur me atë se a do të deklarohet apo të mbrohet në heshtje.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 25 korrik 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vjet burgim.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar më 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhet se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi, të bëhet i njëjti.
Ndryshe, për veprën penale “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar. Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.
Në aktakuzë thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh., në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh. dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre, duke i rënë rrugës më të shkurtër në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku në oborrin e shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh. me fjalët “çka po më kqyr?”.
Ndërsa tani i ndjeri V.Xh. thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metrash, dhe në të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh. “ik se ka thikë”. Në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë, së bashku me të miturin A.K., e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli. Ky i fundit është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.Xh., me dashje që ta privojnë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V.
Ata kanë vazhduar ta ndjekin dhe, derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim, duke i thënë: “Ik se ta bajna ma zi se atina.”
Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur, kur përnjëherë ishte rrëzuar për tokë dhe ka qenë i tëri i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën”, e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin A.K. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrimin “Leatherman Sidekick”, të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të cilën policia e ka gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.
Ra aksidentalisht nga çatia, ndërron jetë 49-vjeçari në Shkodër
Read more