Thyen dy lokale në mëngjes, policia arreston tre persona në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pasi dy lokale janë thyer gjatë orëve të mëngjesit në lokacione të ndryshme të qytetit të Mitrovicës. Sipas njoftimit të policisë, rastet janë raportuar në Stacionin Policor Mitrovicë Jugu, ndërsa njësitë kompetente kanë reaguar menjëherë duke nisur veprime intensive operative…

Lajme

19/02/2026 15:38

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pasi dy lokale janë thyer gjatë orëve të mëngjesit në lokacione të ndryshme të qytetit të Mitrovicës.

Sipas njoftimit të policisë, rastet janë raportuar në Stacionin Policor Mitrovicë Jugu, ndërsa njësitë kompetente kanë reaguar menjëherë duke nisur veprime intensive operative dhe hetimore.

Pas disa orësh hetime, policia ka arritur të identifikojë të dyshuarit. Gjatë kontrollit tek ta janë gjetur edhe gjësendet e vjedhura nga lokalet e dëmtuara.

Tre personat e dyshuar, ku njëri prej tyre është i mitur, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor. Pas intervistimit dhe procedurave të tjera të nevojshme është iniciuar rasti penal për “vjedhje të rëndë”.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.