Arrihet marrëveshja mes Trafikut Urban dhe sindikatës, shmanget ndërprerja e transportit në Prishtinë
“Trafiku Urban” SH.A. ka njoftuar se, pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, është arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin e shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës. Sipas njoftimit zyrtar, menaxhmenti dhe sindikata janë pajtuar që të vazhdojë normalisht qarkullimi i autobusëve, duke shmangur…
Lajme
“Trafiku Urban” SH.A. ka njoftuar se, pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, është arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin e shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, menaxhmenti dhe sindikata janë pajtuar që të vazhdojë normalisht qarkullimi i autobusëve, duke shmangur ndërprerjet eventuale të shërbimit për qytetarët e kryeqytetit.
Sa i përket kërkesave të punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e pagave, ndërmarrja ka theksuar se mbetet e përkushtuar që, në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkret për rritjen e mirëqenies së punonjësve.
Palët janë dakorduar që diskutimet e detajuara lidhur me realizimin e kërkesave konkrete të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, kur pritet të rishikohen mundësitë financiare dhe operacionale të ndërmarrjes.
Menaxhmenti i “Trafikut Urban” ka theksuar se mbetet i hapur për dialog social të vazhdueshëm dhe bashkëpunim me sindikatën, me qëllim adresimin transparent të çështjeve që lidhen me të drejtat e punëtorëve dhe stabilitetin afatgjatë të ndërmarrjes.
Në fund, ndërmarrja ka falënderuar punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin në ofrimin e shërbimit publik, si dhe qytetarët e Prishtinës për mirëkuptimin dhe besimin e vazhdueshëm. /Lajmi.net/