“Amerika pritet të sanksionojë pushtetarë në Serbi”
Njëri nga opozitarët kryesorë në Serbi, Zdravko Ponosh ka thënë se Amerika pritet të sanksionojë individë që janë pjesë e pushtetit në Beograd, së shpejti. Kjo meqë, sipas kryetarit të partisë “Serbia Qendra” (SRCE), në Uashington po fillon të vihet në zbatim Ligji për Demokracinë në Ballkanin Perëndimor. “Kanë nisur konsultimet mes agjencive të ndryshme…
Lajme
Njëri nga opozitarët kryesorë në Serbi, Zdravko Ponosh ka thënë se Amerika pritet të sanksionojë individë që janë pjesë e pushtetit në Beograd, së shpejti.
Kjo meqë, sipas kryetarit të partisë “Serbia Qendra” (SRCE), në Uashington po fillon të vihet në zbatim Ligji për Demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
“Kanë nisur konsultimet mes agjencive të ndryshme se çfarë do të thotë kjo. Po konturohet formati i njerëzve që do të sanksionohen: do t’u nënshtrohen regjimit të vizave, nuk do të mund të marrin viza dhe do t’u ngrihen pasuritë financiare”, ka thënë Ponosh për televizionin N1, raporton Danas.
“Kush do të jenë këta njerëz? Nga ajo që unë di tani, synohet niveli i mesëm i menaxhmentit – ata që kanë marrë pjesë në manipulimin e listave të votuesve, ata që kanë marrë pjesë në manipulime dhe korrupsion në sektorin e energjetikës dhe në projektet infrastrukturore, si dhe ata që kanë qenë vendimtarë në presionet ndaj votuesve që punojnë në administratën shtetërore, përfshirë edhe njerëz nga sektori mediatik – pronarë dhe redaktorë”.
Ai ka thënë se këtë informacion e ka nga një “burim shumë i besueshëm” ndërsa shtoi se nuk do të pritet gjatë për këtë.