Abuzimi me substanca psikoaktive në rritje viteve të fundit, më të shiturat kanabisi e alkooli

Të dhënat e viteve të fundit tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve të abuzimit me substancat psikoaktive në Kosovë. Derisa sfida për një komunitet pa varësi është e madhe dhe kërkon qasje gjithëpërfshirëse. Kështu u tha në Konferencën Nacionale “Një komunitet pa varësi”, në partneritet me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle…

Lajme

10/09/2025 12:32

Të dhënat e viteve të fundit tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve të abuzimit me substancat psikoaktive në Kosovë. Derisa sfida për një komunitet pa varësi është e madhe dhe kërkon qasje gjithëpërfshirëse.

Kështu u tha në Konferencën Nacionale “Një komunitet pa varësi”, në partneritet me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle Foundation dhe organizatën Labyrinth, e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se një komunitet pa varësi është mision kombëtar për të gjithë, pa përjashtim.

Sipas tij, lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar.

“Jemi mbledhur sot për një betejë të përbashkët një betejë për jetën e dinjitetin dhe për të ardhmen e fëmijëve. Jemi këtu bashkë sepse së bashku po angazhohemi për një shoqëri të lirë ku çdo fëmijë dhe çdo i ri do të këtë mundësinë të jetojë me dinjitet dhe me shpresë. Qeveria e Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psikosociale dhe shëndetësore me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim dhe ri-integrimi dinjitoz në shoqëri”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028 dhe se po fuqizohet policia në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike.

“Jemi të përkushtuar në zbatimin e strategjisë shtetërore kundër drogave 2024-2028 si një nga prioritetet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të sigurisë së qytetarëve. Përmes kësaj strategjie dhe planit të veprimit kemi përcaktuar masa të qarta të cilat kombinojnë luftimin e zingjirëve të shpërndarjes së drogave me forcimin e mekanizmave të edukimit. Në veçanti tek moshat e reja shkollore, por edhe parandalimin e rehabilitimin duke i pasur në fokus. Ne po fuqizojmë policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajnimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë”, tha ai.

Ndërkaq, presidentja e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Remzije Krasniqi, tha se vitet e fundit fëmijët dhe të rinjtë përdorues të substancave narkotike janë përfshirë ndër kategoritë më të cenuara.

Ajo theksoi se kjo situatë është evidentuar si prioritet për veprim nga organizata, por edhe si thirrje për institucione të tjera.

Sipas saj, rritja e rrezikut kërkon ndërhyrje të menjëhershme, duke përfshirë ngritjen e vetëdijesimit, shtimin e investimeve dhe zgjerimin e shërbimeve mbështetëse.

“Viteve të fundit fëmijët dhe të rinjtë përdorues të substancave narkotike dhe përdorues të drogave janë përfshirë ndër tre kategoritë më të cenuara e që kjo ka evidentuar edhe si prioritet për veprim për ne si organizatë edhe thirrje për të tjerët për veprim. Për shkak të rritjes së rrezikut, nevojës për ndërhyrje, përfshirë rritjen e vetëdijësimit shtimin e investimeve dhe zgjerimin e shërbimeve mbështetëse. Fatkeqësisht kjo kategori e fëmijëve shpesh është në hije për shkak të mungesë së plotë të qasjes në shërbime sociale, shëndetësore rehabilituese por edhe stigma e paragjykimi që e kanë jashtëzakonisht në shoqëri”, potencoi Krasniqi.

Ndërkaq drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Faton Kutllovci tha se ka një rritje shqetësuese të abuzimit me substanca psikoaktive në Kosovë.

Ai potencoi se më të prekurit janë të rinjtë dhe adoleshentë e moshave 15-25 vjeç. Po ashtu, abuzim me substanca narkotike, Kutllovci tha se janë shënuar edhe fëmijët.

Ndër substancat më të përdorura sipas Kutllvocit janë kanabisi, alkooli, qetësuesit, stimulantët si kokaina e të tjerë.

Drejtori i Psikiatrisë, Faton Kutllvoci theksoi se ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të personave që abuzojnë me substanca psikoaktive janë ata familjarë siç është mungesa e kujdesit prindëror, pastaj ai social duke përfshirë papunësinë.

Faktorë të tjerë, Kutllovci përmend faktorët ekonomik, ankthin, depresionin dhe qasjen e lehtë në substanca psikoaktive.

“Të dhënat e viteve të fundit tregojnë një rritje shqetësuese të rasteve të abuzimit me substancat psikoaktive në Kosovë. Moshat më të prekura janë ato të të rinjve dhe adoleshentëve të moshës 15-25 vjeçare, por për fat të keq në situata sporadike kemi pasur raste edhe të fëmijëve dhe moshave më të reja që kanë filluar abuzimin me substanca psikoaktive…Substancat më të përdorura janë kanabisi, alkooli, qetësuesit. Ndërsa, viteve të fundit është vërejtur rritja e përdorimit të simulantëve si …dhe kokaina dhe drogave të tjera të rënda që sjellin pasoja edhe më serioze shëndetësore dhe sociale. Faktorët kryesorë që ndikojnë në abuzimin me substanca psikoaktive janë faktorët familjarë, mungesën e kujdesit prindëror, dhuna dhe neglizhenca. Faktorët social, presioni i bashkëmoshatarëve, papunësia, mungesa e aktiviteteve shëndetësore…Faktorët psikologjik, faktorët ekonomik”, tha Kutllovci.

Ndërkaq, drejtori i qendrës Labyrinth, Safet Blakaj tha se duhet insistuar që programi për parandalimin gjeneral të racionalizohet edhe më shumë.

“Do të insistojmë që ky program që ka filluar tani për parandalimin gjeneral që të racionalizohet më mirë dhe që të jemi me serioz që tha edhe kryeministri që nuk duhet t’i lëmë të rinjtë që të shkojnë dëm për mos angazhimin tonë”, u shpreh Blakaj./kp