Trump për liderin e ri suprem të Iranit: U plagos shumë rëndë, por s’mendoj se ka vdekur

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se nuk beson që lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, ka vdekur, mes spekulimeve për vendndodhjen dhe gjendjen e tij, pothuajse gjashtë muaj pas emërimit të tij. “Nuk mendoj se ka vdekur”, i tha Trump drejtuesit konservator të radios Glenn Beck gjatë një interviste telefonike të drejtpërdrejtë, shkruan CNN. “Ai…

Bota

26/08/2026 16:13

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se nuk beson që lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, ka vdekur, mes spekulimeve për vendndodhjen dhe gjendjen e tij, pothuajse gjashtë muaj pas emërimit të tij.

“Nuk mendoj se ka vdekur”, i tha Trump drejtuesit konservator të radios Glenn Beck gjatë një interviste telefonike të drejtpërdrejtë, shkruan CNN.

“Ai u plagos shumë rëndë”, shtoi Trump. “Ana e majtë e trupit të tij, krahu, këmba, gjithçka. Ai u plagos shumë rëndë. Por nuk mendoj se ka vdekur”.

Trump sugjeroi se, nëse Khamenei ka vdekur, zyrtarët iranianë kanë ruajtur paraqitjen se ai është gjallë – ai tha se ata vazhdojnë të konsultohen me të dhe të kërkojnë “bekimin e tij përfundimtar” për çështje të rëndësishme. Ai shtoi se negociatorët iranianë “nuk janë grupi më i ndershëm”, duke lënë të kuptohet se gjithçka është e mundur.

I pyetur për mundësinë e fitores në luftë, Trump tha: “Fuqia jonë financiare është e pabesueshme dhe këto gjëra po shkojnë drejt një fitoreje shumë të madhe”.

Në fillim të kësaj jave, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi një fushatë për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Iranit, duke kërcënuar me pasoja ekonomike ndaj vendeve që refuzojnë të ndërpresin lidhjet me Iranin.