Vëllai i Bylbyl Sokolit bëhet këshilltar teknik i kryeshefit të KEK-ut: Ishte kërkesë e menaxhmentit, unë nuk jam me VV-në

Ngërçi politik disa mujor në Kosovë nuk po e ndalon partinë në pushtet nga vendimet e diskutueshme në ndërmarrjet publike. Së fundmi, raportohet për një tjetër emërim të dyshimtë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku familjarë të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje po gjejnë pozita pa konkurse të hapura. Ramadan Sokoli, vëllai i deputetit të…

Lajme

05/09/2025 18:02

Ngërçi politik disa mujor në Kosovë nuk po e ndalon partinë në pushtet nga vendimet e diskutueshme në ndërmarrjet publike.

Së fundmi, raportohet për një tjetër emërim të dyshimtë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku familjarë të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje po gjejnë pozita pa konkurse të hapura.

Ramadan Sokoli, vëllai i deputetit të VV-së dhe profesorit të njohur Bylbyl Sokoli, është emëruar si këshilltar teknik i ushtruesit të detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashanit.

Emërimi i tij është bërë pa shpallje publike të konkursit.

Në një prononcim për Periskopin, Ramadan Sokoli e konfirmoi se është emëruar pa konkurs të hapur, duke thënë se ka qenë një kërkesë e menaxhmentit.

“Unë jam në KEK që 15 vjet, 12 vjet kam ushtruar detyrën e menaxherit edhe me kërkesë të menaxhmentit kam pranuar me ardhë në këtë pozitë. Unë kam pranu me kontribu në këtë pozitë, mos më pyet se nuk e di aty unë nuk merrem me atë problematikë,” deklaroi ai.

Kur u pyet nëse ky emërim përbën konflikt interesi, ai reagoi me nervozizëm dhe mohoi çdo lidhje me përkatësinë politike të vëllait të tij.

“Çfarë konflikti interesi, vllau jem ka shtëpinë e vet, unë kam shtëpinë time. Çka ka lidhje,” tha Sokoli.

“Vllau jem ndikim? – Pse çka po mendon ti, çfarë familje jemi ne, me ndikim. S’ke drejtë me u marrë me familjen time. Ku pe sheh ndërlidhjen e vëllaut tim me mua. Ai është në Lëvizjen Vetëvendosje, unë jam në lëvizjen e Ballit Kombëtar në Lëvizjen për Bashkimin Kombëtar. Vëllau im është me kanë është problem i tij është. Unë i kam 7 vllazën, krejt i kanë pozicionet e veta, po unë për veti jam në Lëvizjen e Bashkimit Kombëtar, nuk kam të bëjë fare as me VV, as me PDK, as me LDK, as me kërkon hiç,” përfundoi Sokoli.

Kujtojmë se gjatë katër viteve të fundit të qeverisjes Kurti, janë raportuar vazhdimisht skandale të punësimeve në KEK, ku shumë persona dyshohet se janë rekrutuar jashtë procedurave ligjore. Prokuroria kishte nisur hetime për këto raste, për shkak të dyshimeve për shkelje të rënda ligjore në konkursin e fundit të KEK-ut.

Ndërkohë, Gramos Hashani, i cili është ushtrues detyre i kryeshefit të KEK-ut prej disa muajsh, po përballet me kritika për kriza të brendshme dhe skandale, që e kanë shoqëruar periudhën e tij në këtë post.

Ndryshe, Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë sot gjatë ditës me KEK-un, por asnjë zyrtar i tyre nuk ka qenë i çasshëm përmes emailit.