Nga opozita e shohin shqetësuese deklaratën e Grenell, Kadriaj: Vota që qytetarët ia japin Kurtit do e sanksionojë Kosovën
I dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, dje tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë. Ky deklarim i Grenell erdhi pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump e nënshkroi detyrën e tij të re,…
Lajme
I dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, dje tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
Ky deklarim i Grenell erdhi pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump e nënshkroi detyrën e tij të re, si Emisari për Misione të Veçanta në kuadër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, Richard Grenell apo njohur ndryshe si njeriu i afërt i Trump-it në dy administrata, shkroi se edhe republikanët, edhe demokratët në SHBA e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin “për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin”.
Sipas tij, ngjashëm veproi edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi deh në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por, ne kemi nevojë për partner të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe për BE-në dhe NATO-n. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe në Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në, më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, shkroi ai.
Kjo deklaratë e Grenell dje bëri “bujë”, në Kosovë teksa u cilësua si një rezultat negativ për Kosovën.
Deklarata e dhënë nga zyrtari amerikan pak ditë para zgjedhjeve në disa raste u pa edhe si “pikë pozitive” për opozitën në Kosovë, sa i përket zgjedhjeve të 9 shkurtit. E në lidhje me këtë çështje për lajmi.net ka folur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, e cila e sheh si shqetësuese këtë deklaratë.
Sipas Kadriaj kjo deklaratë e Grenell, nuk ishte një befasi pasi sipas saj që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti janë anuluar të gjitha projektet të cilat kanë qenë amerikane.
“Nuk është befasi nga kjo qeverisje, kemi potencuar edhe gjatë tërë mandatit sepse me ardhjen në pushtet të kësaj qeverie ju e dini se janë anuluar të gjitha projektet që kanë qenë amerikane edhe projektin e gazit që ka qenë donacion shumica për infrastrukturë dhe të gjitha projektet e tjera”, ka thënë ajo.
Ajo tutje është shprehur se “manovrimet” të cilat janë bërë nga kryeministri Albin Kurti në moskordimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe Bashkimi Evropian (BE), kanë bërë që Kosova të sanksionohet.
“Normal që ne e kemi parë shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe të vendeve të Bashkimit Evropian që ky njeri me manovrimet e veta në moskordinim me aleatët tanë ndërkombëtar i ka sjellë Kosovës sanksione”, thotë Kadriaj.
Deputetja e AAK-së po ashtu ka thënë se shpreson që mesazhi i Grenell të mos “has në vesh të shurdhër”, tek qytetarët e Kosovës gjatë zgjedhjeve të datës 9 shkurt.
Ndryshe sipas saj shqetësuese mbetet ajo se çfarë tha Richard Grenell se SHBA-të, nuk e shohin Kurtin si një partner, duke thënë se vota e dhënë e qytetarëve “karshi”, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), do të sanksiononte edhe më tutje Kosovën.
“Deklaratat e fundit vërtetë janë shqetësuese për një vend të cilët deklarohen disa ditë para zgjedhjeve sepse SHBA-të nuk e shohin si partner zotin Albin Kurti dhe unë dëshirojë që ky mesazh i zyrtarit të lartë amerikanë të mos “has në vesh” të shurdhër tek qytetarët e Kosovës në mënyrë që votën që do t’ja japin Albin Kurtit do ta sanksionojnë edhe më të tutje Kosovën”, shprehet ajo.
Kadrijaj thotë se Kosova ka vetëm një qëllim që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe Organizatave kredibile Ndërkombëtare, gjë për të cilën dyshon “në rast se nuk afrohemi me hap me SHBA-të dhe BE-në”.
“Kosova e ka një synim që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian të jetë anëtare e të gjitha organizatave kredibile ndërkombëtare dhe të ketë edhe njohje të reja po edhe anëtarësime të reja nëpër organizata të tjera që nuk mundemi me e ba vet nëse nuk afrohemi me hap me SHBA-të dhe BE-në”, theksoi ajo.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet që të mbahen më datë 9 shkurt. Këto zgjedhje do të përcaktojnë edhe fatin e ardhshëm të liderëve në skenën politike të vendit. Duhet përkujtuar se nga partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur vazhdimisht “telashe” me Grenell-in dhe administratën e Donald Trump.
Kritikat që Kurti dhe zyrtarët e VV-së i kishin bërë Grenell-it ishin të ashpra, goditëse e disa herë edhe fyese.
Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit ku natyrisht do të mund të zgjedhin edhe liderin e tyre për katër vitet e ardhshme si dhe përfaqësuesit e legjislaturës tjetër të Kuvendit të Kosovës.
Këto zgjedhje po zhvillohen për herë të parë si të rregullta pasi Qeveria arriti që të sjellë deri në fund mandatin 4 vjeçar që qytetarët ia kishin besuar./Lajmi.net/