190 mijë euro gjatë 2024 për kompensimin e viktimave të krimit, rriten kërkesat

Trefish më shumë kërkesa janë paraqitur në ministrinë e Drejtësisë në dy vitetet e fundit për kompensimin e viktimave të krimit. Derisa nga kjo ministri kanë treguar se vetëm gjatë këtij vitit kanë pasur rreth 130 kërkesa, shuma e kompensimit është 190 mijë euro. Mbi 613 mijë euro është shuma e kompensimit të viktimave të…

Lajme

13/10/2024 20:25

Trefish më shumë kërkesa janë paraqitur në ministrinë e Drejtësisë në dy vitetet e fundit për kompensimin e viktimave të krimit. Derisa nga kjo ministri kanë treguar se vetëm gjatë këtij vitit kanë pasur rreth 130 kërkesa, shuma e kompensimit është 190 mijë euro.

Mbi 613 mijë euro është shuma e kompensimit të viktimave të krimit, nga Ministria e Drejtësisë, nga viti 2021 deri më tash.

Ndërkohë që gjatë kësaj periudhë janë rritur edhe kërkesat e viktimave për të fituar të drejtën e kompensimit në rastet e tyre.

Sipas përgjigjes së ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2021 kanë qenë 57 kërkesa, nga to 29 janë aprovuar, ndërkohë që nga janari e deri në shtator të 2024, kanë qenë 135 kërkesa nga to 95 të aprovuara.

Nga të gjitha kërkesat vërehet se gjinia femrore dominon më shumë.

Sipas ish-sekretarit të ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, rritja e kërkesave ka të bëjë me ndryshimet që janë bërë në ligj.

“Në vitin 2022 është ndryshuar ligji dhe është bërë ligji i ri sipas të cilit, janë rishikuar edhe kriteret edhe afati për parashtrimin e kërkesës edhe janë lehtësuar kërksat dhe në rrjedhe të kësaj është kjo arsye kryesore që është rritur numri i kërkesave edhe numri i aprovimeve të kërkesave, ajo çka mbetet esenciale është që MD-ja së bashku me këshillin gjyqësor dhe atë prokurorial, fondet që gjenerohen prej këtyre dy këshillave të barten te md në mënyrë që kompensimi i viktimave të mos jetë barrë e shtetit”, ka theksuar ai për RTV Dukagjini.

Ndërkohë që në Institutin e Kosovës për Drejtësi rritjen e kërkesave për kompensim e shohin si një hap pozitiv e që duhet vazhduar edhe më tutje me vetdijësimin e personave që mund të jenë përfitues.

“Në të kaluarën d.m.th që nga miratimi i këtij ligji dhe funksionalizimi i këtij fondi njëra prej problemeve ka qenë mungesa e kërkesave per shkak se nuk ka qenë shumë i njohur kjo formë e kompensimit dhe në një masë të konsiderueshme viktimat nuk i kanë ditur të drejtat e veta që kanë në raport me këtë fond dhe janë bërë vazhdimisht përpjekje që të promovohet kjo”, ka deklaruar Gzim Shala – Hulumtues në IKD.

Programi për kompensimin e viktimave të krimit është i rregulluar me ligj dhe financohet nga buxheti i shetit.

Programi ia mundëson viktimave të veprave të dhunshme të kompensueshme të aplikojnë për kompensim financiar për dëmet si pasojë e veprës penale, në rast se kjo nuk mund të kompensohet nga i pandehuri.

Ministria e Drejtësisë së fundmi ka thënë se edhe viktimat që dalin nga gjykimet në dhomat e specializuara në Hagë, duhet të aplikojnë për kompensim përmes këtij programi.