Lansohet fushata “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”
Me rastin e fillimit të muajit rozë për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kjo fushatë është bërë e përvitshme dhe se sipas tij po shënon rezultat sepse tani është rritur numri i…
Lajme
Me rastin e fillimit të muajit rozë për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kjo fushatë është bërë e përvitshme dhe se sipas tij po shënon rezultat sepse tani është rritur numri i grave që lajmërohen në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes së kancerit të gjirit.
Ai tha se gjatë këtij muaji do të ketë çdo ditë fushata ndërgjegjësimi me të gjitha institucionet tjera, përfshirë edhe organizatat e ndryshme.
”Sot filloi zyrtarisht fushata kundër kancerit të gjirit, një fushatë që tani është bërë e përvitshme me organizime të ndryshme edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por jo vetëm. Do të ketë një riorganizim edhe nga presidentja Osmani me ecjen e zakonshme në shesh për këtë çështje. Dhe do të ketë çdo ditë fushata ndërgjegjësimi me të gjitha institucionet tjera, përfshirë këtu edhe organizatat e ndryshme, sepse siç e theksuam është jashtëzakonisht e rëndësishme se në dy vitet e fundit ka shkuar mbi 52 për qind, rastet që zbulohen në stadin e parë dhe të dytë të kancerit të gjirit, që tregon se ndërgjegjësimi veç ka bërë punë, sepse vetëkontrollet dhe ekzaminimet me mamografi veçse kanë filluar të jenë pjesë e zakonshme që gratë po e bëjnë”, tha Vitia.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi potencoi se në dy vitet e fundit mbi 50 për qind e rasteve diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes. Ai shtoi se vite më parë rreth 70 për qind e grave janë lajmëruar në stad të avancuar të sëmundjes.
Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike në QKUK, Violeta Zatriqi u bëri thirrje të gjitha grave që kanë bërë amputimin e gjirit për shkak të kancerit, të shkojnë për konsultë në këtë klinikë për tu operuar falas për rikonstruktim të gjirit.
Ndërkaq, mesazhi i një nga të mbijetuarave nga kanceri i gjirit, Arnisa Osmani është që gratë të bëjnë kontrolle dhe melografinë.