Serbët po e zvarrisin rastin e Faton Hajrizit, nga MPJD thonë se parashtruan tri kërkesa por s’pranuan përgjigje

Faton Hajrizi vazhdon të jetë një ndër emrat më të përmendur përgjatë muajve të fundit. Që nga data 6 korrik kur edhe është arratisur nga Burgu i Smrekonicës, Hajrizi ishte në kërkim nga autoritetet e vendit. I njëjti ishte bërë i njohur ndër vite për arratisjet e tij të vazhdueshme, saktësisht nëntë prej tyre. Por…

Lajme

07/08/2024 13:58

Faton Hajrizi vazhdon të jetë një ndër emrat më të përmendur përgjatë muajve të fundit.

Që nga data 6 korrik kur edhe është arratisur nga Burgu i Smrekonicës, Hajrizi ishte në kërkim nga autoritetet e vendit.

I njëjti ishte bërë i njohur ndër vite për arratisjet e tij të vazhdueshme, saktësisht nëntë prej tyre.

Por ngjarja shkoi edhe më larg, pasi Faton Hajrizi u përfshi edhe në një rast shumë të rëndë në Serbi.

Natën e 19 korrikut u raportua se një zyrtar policor është vrarë në Serbi kurse një tjetër është plagosur. Në vendin e ngjarjes u tha se janë gjetur dokumentet e Artan Hajrizit, që rezultoi të ishte vëllai i Faton Hajrizit. Pas kësaj ishte vetë Artan Hajrizi, i cili u deklarua për lajmi.net ku ndër të tjerash tha se dokumentet e tij janë vjedhur nga vëllai dhe se nuk di gjë për vendndodhjen e tyre.

Por mbi 30 orë kërkim nga autoritetet serbe, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi se Hajrizi është lokalizuar dhe pas rezistimit të tij forcat policore serbe e kanë vrarë.

Pavarësisht javëve që kanë kaluar, trupi i Faton Hajrizit nuk i është dorëzuar familjarëve e as nuk është kthyer në Kosovë.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme nga ku u tha se MPJD dhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi kanë qenë vazhdimisht të angazhuara për rastin e Hajrizit.

“Jemi në komunikim me shtetet e Quint-it, Misionin e BE-së në Serbi, familjen e të ndjerit dhe avokatin e autorizuar nga familja”, thuhet nga MPJD.

Gjithashtu u theksua se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka parashtruar tri herë kërkesë zyrtare tek Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse për të konfirmuar identitetin e personit të vrarë më 19 korrik 2024 në Loznicë dhe rrethanat e ngjarjes, por se poashtu kanë kërkuar mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë. Pavarësisht këtyre kërkesave sipas MPJD-së nuk është pranuar ndonjë përgjigje zyrtare.

“Më 30 korrik 2024, përmes avokatit Arianit Koci dhe me asistimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, është kryer testi i ADN-së nga ekspertët mjeko-ligjorë nga Beogradi tek nëna e shtetasit Faton Hajrizi në Vendkalimin Kufitar Dheu i Bardhë, tek pjesa serbe”,thuhet tutje në përgjigjen e ministrisë.

Edhe pse nga autoritetet serbe i është thënë ministrisë se duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave.

“Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së. Deri më tani, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave, dhe as avokati Koci nuk ka marrë ndonjë njoftim. MPJD do t’ju mbajë të informuar në lidhje me veprimet e mëtutjeshme deri në kthimin e trupit të të ndjerit në Kosovë”, theksohet tutje.

Duhet përkujtuar që nga autoritete serbe vazhdimisht ka pasur publikime të shumta ku ndër të tjerash është munduar që rasti i Faton Hajrziit të politizohet dhe të “barazohet” me sulmin terrorist të Milan Radojiciq dhe grupit të tij në Banjskë.

Madje nga autoritete e Kosovës u kërkua përgjegjësi për arratisjen e tij dhe kalimin përtej kufirit, saktësisht shkuarjen e tij në Serbi.

Por janë pikërisht këto autoritete serbe që ende po mbajnë trupin e Hajrizit, duke refuzuar kështu kthimin në Kosovë.

Ky refuzim dhe vonim i tyre vetëm sa ka ngritur dyshimet edhe më tepër në lidhej me saktësinë e informacioneve për vrasjen e tij dhe se fotografitë që ishin publikuar i takonin vërtetë atij.

Nga familjarët e Hajrizit po ashtu janë deklaruar se po presin ndonjë lëvizje konkrete sa i përket kësaj çështje dhe të njëjtit kanë edhe avokatin Arianit Koci i cili kishte udhëtuar edhe drejt Beogradit për këtë situatë, por se nuk është shprehur shumë pozitiv sa i përket kthimit të trupit e gjitha për shkak të vonesave që autoritete serbe po bëjnë vazhdimisht.

Nga Serbia ishte thënë se zyrtarët policorë serbë të trafikut kishin ndaluar veturën në të cilën gjendej Hajrizin për një kontroll rutinë, por se i lartcekuri kishte refuzuar që t’u jepte atyre dokumentet përkatëse dhe se më pas kishte shtënë me armë zjarri, gjë që  përfundoi me vrasjen e një polici dhe plagosjen e tjetrit.

Sipas zyrtarëve serbë Hajrizit më pas i kishin rënë dokumentet përkatëse gjatë ikjes dhe se ai u arrit të lokalizohej pasi po përcillej me orë të tëra përmes kamerave e që shihej se çfarë ai po bënte gjatë qëndrimit në Loznicë e gjatë tentimit të tij për t’u arratisur./Lajmi.net/