Karim Benzema eliminon PSG-në – Real Madrid avancon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Real Madrid ka bërë përmbysjen e çmendur ndaj PSG-së, që të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Sport

09/03/2022 22:53

Edhe pse PSG kishte avantazhin në ndeshjen e parë me rezultat 0:1, Real Madrid fitoi në “Santiago Bernabeu” me rezultat 3:1 që të kualifikohet tutje (3:2, rezultati i përgjithshëm”, shkruan lajmi.net.

Ndeshja nisi më mirë për PSG-në, që gjetën golin përmes Kylian Mbappe, por që u anulua për pozitë jashtë loje (34′).

Por, vetëm pesë minuta më vonë, Neymar asistoi për francezin që i dha epërsinë “Parisienëve” (39′).

Edhe në pjesën e dytë, Mbappe shënoi sërish, por prapë u anulua për pozitë jashtë loje.

Pastaj, Real Madrid nisi këndelljen përmes Karim Benzema që përfitoi nga një gabim trashanik i Donnarummas dhe barazoi rezultatin (61′).

“Los Blancos” vazhduan me presion dhe përfituan nga një kundëraksion, ku Luka Modric asistoi për Benzema që barazoi rezultatin me gol nga afërsia (76′).

Vetëm dy minuta më vonë, francezi gjeti sërish golin, duke kompletuar het-trikun (78′).

Kësisoj, Real Madrid kualifikohet në çerekfinale dhe kundërshtarin do ta mësojë pas hedhjes së shortit me 18 mars./Lajmi.net/