Real Sociedad ‘viktima’ e radhës e Real Madridit – “Los Blancos” ‘blindojnë’ kreun

Real Madrid ka marrë një fitore të madhe në shtëpi ndaj Real Sociedadit, në kuadër të xhiros së 24-të në La Liga.

Sport

05/03/2022 22:54

“Los Blancos” triumfuan me rezultat të thellë 4:1, shkruan lajmi.net.

Mysafirët kaluan fillimisht në epërsi përmes Oyarzabal që shënoi nga pika e bardhë (10′).

Vendasit pastaj morën dominimin dhe barazuan rezultatin pas një eurogoli të Camavingas nga distanca (40′).

Vetëm disa sekonda më vonë, Karim Benzema shënoi, por që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

Sidoqoftë, nuk vonoi shumë dhe Reali doli në epërsi pas një tjetër supergoli, këtë herë të Luka Modric (43′).

Edhe në pjesën e dytë, Reali dominoi në çdo aspekt. Benzema shënoi sërish, por prapë u anulua për pozitë jashtë loje.

Vinicius Junior fitoi një penallti pas një ndërhyrje të rrezikshme dhe nga pika e bardhë francezi nuk gaboi (76′).

Fitoren e Realit e vulosi i inkuadruari Marco Asensio nga afërsia pas një asistimi të Carvajal (79′).

Me këtë fitore, Reali rrit kreun me 63 pikë, tetë më shumë se pozita e dytë, Sevilla, derisa Sociedad zë pozitën e gjashtë me 44 sosh./Lajmi.net