Salah vazhdon me rekorde, hyn në mesin e tre lojtarëve më produktiv të Liverpoolit në ligë

Liverpooli arriti një fitroe në fund të takimit ndaj Wolves për të arkëtuar tre pikë të reja në Premier Ligë.

Sport

04/12/2021 18:24

Golin e vetëm për “Të Kuqtë” e realizoi Divock Origi i cili shënoi në minutën e 94-të të ndeshjes, për t’ia sjellë një fitore jashtëzakonisht të madhe “Të Kuqve” pasi tani kryesojnë tabelën me 34 pikë të mbledhura.

Ndonëse nuk shënoi, Mohamed Salah asistoi në golin fitues të Origit dhe nuk ka lënë pa regjistruar një tjetër arritje për skuadrën e Liverpoolit.

Asisti i sotëm ndaj Wolves nënkupton që egjiptiani tashmë ka qenë pjesëmarrës në 150 gola në Premier Ligë për “Të Kuqtë”, duke e bërë këtë në vetëm 160 paraqitje.

Në këtë rast, Salah ka hyrë në mesin e tre futbollistëve më produktiv në histori të klubit në kompeticonin Premier Ligë, duke u bërë lojtari i tretë me pjesëmarrjen më të lartë të golave në klub, vetëm prapa Fowler e Gerrard.

Një statistikë tjetër që e dëshmon formën kulminante të Salah është fakti se egjiptiani ka shënuar apo asistuar në secilën nga 13 ndeshjet e fundit në Premier Ligë.

Salah kryeson si top-golashënues dhe asistues në Premier Ligë këtë sezon, me 13 gola të shënuara e nëntë asistime. /Lajmi.net/