Komuna e Malishevës: Qeveria qëllimshëm nuk ka alokuar buxhetin për investime kapitale për këtë vit
Komunës e Malishevës, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ua ka alokuar buxhetin për investime kapitale për këtë vit.
Lajme
Komuna thotë se mos alokimi i buxhetit, do të sjellë probleme serioze për komunën, pasi do të ketë vështirësi të mëdha në realizimin e planifikimeve për investime kapitale për këtë vit, pasi pa alokim të buxhetit, nuk mund të zhvillohet asnjë procedurë për realizimin e tyre.
“Ne e konsiderojmë veprim të papërgjegjshëm të ministrisë përkatëse dhe ministrit Hekuran Murati, pasi nuk ka kuptim që lënda e buxhetit të një komune, të qëndroj me muaj të tërë në “shqyrtim” dhe të mos derdhen mjetet për investime kapitale”, ka thënë Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, transmeton lajmi.net.
Mazreku ka kërkuar nga kryeministri Kurti, që të merr veprime të menjëhershme për zhbllokimin e kësaj situate të krijuar nga ana e kësaj ministrie dhe ministrit Murati, dhe mjetet për investime të alokohen për Komunën e Malishevës.
Sipas tij, nëse kjo situatë vazhdon edhe për disa ditë, atëherë, është e pamundur të realizohen projektet.
“Ne e konsiderojmë veprim me prapavijë nga ana e ministrisë, pasi përmes këtij veprimi, po tentohet që qëllimshëm të ndodh kjo gjë, dhe mjetet e ndara për komunën tonë të shkojnë në suficit.
Mos realizimi i projekteve, që bëhet fjalë për rreth tre milion euro, do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik në Malishevë. Edhe ashtu, shumë projekte nga niveli qendrorë për Malishevën, janë ndalur dhe disa tjera në realizim e sipër, gjithashtu janë ndalur, e tani është e pamundur që edhe projektet komunale të realizohen, pasi MFPT ende nuk po alokon buxhetin për investime kapitale për Komunën e Malishevës”, tha Mazreku.
Për sqarimin e drejtë të opinionit, Komuna e Malishevës tutje thotë se ka dorëzuar lëndën më 13.04.2021 për bartjen e mjeteve nga kategoria e rezervës në projekte kapitale.
“Gjatë kësaj periudhe, Komuna e Malishevës disa herë e ka kontaktuar zyrën e ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por në asnjë rast ministri Murati, nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, dhe përgjigjja e vetme, që tash e kohë të gjatë na jepet nga kabineti ministrit, është kjo: “lënda është duke u shqyrtuar”! Ministri i kësaj ministrie, asnjëherë nuk ka shprehur gatishmërinë e tij që personalisht ta sqaroj situatën e krijuar, dhe as ministria asnjëherë nuk është përgjigjur me shkrim, pavarësisht e-maileve që drejtoria i ka dërguar ministrisë”, ka përfunduar Mazrekau. /Lajmi.net/