4 milion mungesa të nxënësve për një gjysmëvjetor në Kosovë, Drejtori i Arsimit në kryeqytet nis aksion për evidentimin e tyre në shkolla të Prishtinës

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini ka marrë menjëherë masa pasi është raportuar në media se vetëm për gjysmëvjetorin e parë, nxënësit në shkolla të Kosovës kanë bërë rreth 4 milionë mungesa. Ai ka thënë se ka angazhuar stafin e Drejtorisë së Arsimit, për të ndërmarrë një aksion të gjerë në shkollat fillore…

Lajme

27/04/2026 10:24

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini ka marrë menjëherë masa pasi është raportuar në media se vetëm për gjysmëvjetorin e parë, nxënësit në shkolla të Kosovës kanë bërë rreth 4 milionë mungesa.

Ai ka thënë se ka angazhuar stafin e Drejtorisë së Arsimit, për të ndërmarrë një aksion të gjerë në shkollat fillore e të mesme të Kryeqytetit për evidentimin e mungesave të nxënësve dhe masave që po merren nga shkollat.

“Shifrat që po shohim janë shqetësuese. Mungesat e paarsyeshme nuk janë vetëm orë të humbura mësimi — ato janë një sinjal për probleme më të thella dhe një rrezik real për zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Kur nxënësit nuk janë në shkollë, ku janë? A janë prindërit në dijeni? A po reagojnë shkollat me kohë dhe me seriozitet?”, ka shkruar Shahini.

Ai ka thënë se 1 milion mungesa nga 4 milion gjithsej janë të paarsyeshme.

“Sipas raportimeve në nivel vendi, flitet për rreth 4 milion mungesa në një gjysmëvjetor, prej tyre afro 1 milion të paarsyeshme. Kjo nuk mund të trajtohet si statistikë — është një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm. Zgjidhja nuk është e njëanshme. Prindërit janë partnerë kyç dhe pa përfshirjen e tyre nuk mund të ketë ndryshim real. Në ditët në vijim do të intensifikojmë komunikimin me ta dhe do të ndërmarrim hapa konkretë, që mungesa të tilla të mos kalojnë pa përgjegjësi”, ka thënë ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: