Dacic shkeli marrëveshjen

Edita Tahiri ka paralajmëruar ndryshim të kursit të qeverisë në Prishtinë sa i përket dhënies së lejeve për vizita të zyrtarëve serbë kur ka thënë se sjellja e Dacic “sigurisht se mund të reflektojë edhe në vizitat tjera”.

Lajme

21/10/2013 09:12

ZëvendësKryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel gjatë vizitës së tij në Graçanicë, të shtunën.

Tahiri, e cila është kryenegociatore e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, ka thënë për gazetën Epoka e Re, se Kryeministri serb nuk i është përmbajtur procedurave të vendosura më herët për vizita të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Ajo ka paralajmëruar ndryshim të kursit të Qeverisë në Prishtinë sa i përket dhënies së lejeve për vizita të zyrtarëve serbë kur ka thënë se sjellja e Dacic “sigurisht se mund të reflektojë edhe në vizitat tjera”.

“Si kryenegociatore mund t’ju them se ai (Dacic) në këtë rast ka bërë shkelje të marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit, se nuk është sjellë si një udhëheqës demokratik. Për qëndrimet zyrtare duhet të prisni derisa të bëhen vlerësimet në Qeveri”, ka thënë Tahiri, për Epokën e Re.

“Në bazë të asaj që kam përcjellë në media, ai është sjellë sikurse sillen zakonisht politikanët e Serbisë të cilët nuk i respektojnë procedurat. Pra nuk kishte asgjë ndryshe nga sjellja e mëhershme”.

“Megjithatë do ta vlerësojmë vizitën e tij në Qeveri dhe sjellja e tij sigurisht se mund të reflektojë edhe në vizitat tjera që mund të kërkojë pala serbe”.

Me thirrjet që u ka bërë të shtunën serbëve në Graçanicë, sipas Tahirit, Dacic ende nuk e ka ndryshuar mentalitetin komunist.

“Me thirrjet që u a ka bërë serbëve të Kosovës të votojnë vetëm për një subjekt politik, ai ka treguar se ende nuk e ka kaluar mentalitetin komunist. Në sistemet demokratike një prej vlerave kryesore është pluralizmi, pra shumësia e subjekteve që garojnë në zgjedhje”.