“Armiq dje, aleatë sot”, Hoti krahason rastin e Kosovës dhe Serbisë me të Gjermanisë dhe Francës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur edhe njëherë për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington, dialogun dhe pajtimin e mundshëm me Serbinë.
Lajme
Në një intervistë për median nga Emiratet “WAM”, Hoti duke iu referuar luftërave ndër vite në Ballkan, ka thënë se njerëzit e këtij regjioni janë të lodhur nga lajmet e këqija, dhe tani ata duan diçka pozitive, shkruan lajmi.net.
“Për shumë kohë, Ballkani ka prodhur lajme të këqija. Tani njerëzit duan lajme të mira”, tha ai.
“Jemi borxhli ndaj SHBA-ve për involvimin direkt në arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik me Serbinë, si një parathënie e e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”, ka thënë Hoti.
Hoti në këtë intervistë ka përmendur edhe njohjen me Izraelin. Ka thënë se Kosova ndonëse është shtet me shumica myslimane, mbron dhe respekton dhe pakicat tjera fetare.
“Kosova është shtet sekular me demokraci parlamentare ku të gjitha religjionet janë të mbrojtura nga Kushtetuta dhe Ligjet. Shumica është myslimane. Ne kemi raporte të mira me Izraelin”, thotë Hoti.
Siç thotë Hoti, Izraeli e ka njohur zyrtarisht Kosovën.
“Realiteti aktual ka inkurajuar vendet tona të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe Izraeli e ka njohur zyrtarisht Kosovën. Ne gjithashtu mirëpritëm zhvillimet e fundit midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit “.
Madje, Hoti në rastin e Kosovës e krahason edhe me historinë e luftërave ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, shtete këto që tani janë aleate mes vete.
“Gjatë historisë, armiqtë e djeshëm janë bërë aleatët e sotëm. Vetëm kujtoni luftërat e përgjakshme mes Gjermanisë dhe Francës, Danimarkës dhe Suedisë, SHBA-ve dhe Japonisë. Ata tani jetojnë në paqe dhe në prosperitet. Pra, në Ballkan, dhe në Lindjen e Mesme, ne duhet të punojmë për paqe. Paqja është e arritshme”, thekson ai.
Kryeministri në këtë intervistë shton se vetëm njohja reciproke siguron paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se siç thotë ai i gjithë angazhimi i tij politik do të jetë në drejtim të kësaj zgjidhjeje. /Lajmi.net/