SHKK deklarohet pas incidentit në ceremoninë e Masakrës së Dubravës

Në ceremoninë e masakrës së Dubravës, Shefqet Kabashi, i mbijetuar i kësaj masakre dhe po ashtu dëshmitar i rastit të Haradinajt në Hagë, ka tentuar të prishë këtë ceremoni.

Lajme

22/05/2019 18:10

I njëjti i është drejtuar me disa fjalë ofenduese disa zyrtarëve shtetërorë.

Lidhur me këtë rast ka raportuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Sot me rastin e njëzet vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës, Shërbimin Korrektues i Kosovës  ka planifikuar planin operativ “Masakra e Dubraves” , me qellim  të ofrimit të kushteve këshillit organizativ për të mbajtur këtë eveniment”, thuhet në njoftim.

“Gjatë kësaj ceremonie, SHKK ka ofruar siguri dhe lejimin e hapësirës për këshillin organizativ të këtij përvjetori, ku gjatë këtij operacioni kanë qenë të angazhuar rreth treqind oficerë korrektues, dhjetë kombibus dhe shtatë vetura, të cilat kanë bartur pjesëmarrësit  e ceremonisë nga hyrja kryesore deri te vendi ku po shënohej njëzet vjetori i masakrës së Burgut të Dubravës”.

Gjatë kohës kur po mbahej ceremonia në hapësirat e Qendrës Korrektuese në Dubravë një qytetar ka  tentuar ta prishë ceremoninë.

I menjëhershëm ka qene reagimi i oficereve korrektues duke e larguar nga vendi ku po zhvillohej ceremonia, bashkë me të ishin edhe disa persona tjerë, te cilët u  dërguan jashtë perimetrit  të qendrës korrektuese. Të lartpërmendurit u arrestuan nga policia, ndërsa ceremonia vazhdoi e qetë, ku çdo gjë rrjedhe mirë ashtu sic ishte parapare   me planin operativ. /Lajmi.net/