“Një Kuran, një Bibël e një Talmud”, shqiptarët përcjellin tolerancën fetare në SHBA
Një imam shqiptar, një prift dhe një rabin amerikan, përfaqësues të tre feve më të mëdha në botë janë bërë bashkë në SHBA me një qëllim të vetëm: promovimin e harmonisë dhe tolerancës fetare.

Lajme
Me Kuran, Bibël dhe Talmud, librat që përcjellin fjalën e Zotit, ata predikojnë se pavarësisht besimeve fetare të gjithë jemi njerëz që kemi nevojë për dashuri, bashkim dhe solidaritet.
Nisma është ndërmarrë nga imami shqiptar Gazmend Aga, i cili është transferuar së fundmi në krye të Komunitetit Mysliman të shqiptarëve në Amerikë.
Mesazhi i përcjellë nga imami Aga po jep shumë impakt në jetën sociale për rolin e harmonisë ndërfetare në Amerikë.
Kujtojmë këtu se toleranca fetare është një aset i çmuar për të cilin vendi ynë vlerësohet nga e gjithë bota.
Madje vendi ynë është marrë shembull në çdo takim jo vetëm për tolerancën fetare por dhe mbrojtjen e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.
Dhe ky mesazh merr një vlerë të veçantë në kontinentin e largët në kohën kur sulmet terroriste i atribuohen pa të drejtë besimit islam.
Shkrimi i plotë Gazmend Agas, imam i Komunitetit Mysliman Shqiptaro Amerikan:
Të dashur motra dhe vëllezër shqiptar, jemi në prag të muajit të madh të Ramazanit.
Muaji i Ramazanit është muaji i Librit, i Kuranit. Sa më shumë të lexojë njeriu, aq më shumë do të mendojë e reflektojë, e kjo do e afrojë edhe me njerëzit, edhe me Zotin.
Ky është muaji i adhurimit dhe dorëzimit ndaj Zotit. Në ketë muaj besimtarët shtojnë faljen dhe lutjen, i binden urdhrit të Krijuesit të gjithësisë dhe privohen për 30 ditë nga e ngrëna dhe e pira vetëm për hir te Zotit.
Muaji i Ramazanit është muaji i pastërtisë dhe thjeshtësisë. Në këtë muaj agjëruesi pastrohet nga papastërtitë e një viti, shpirtërisht dhe fizikisht. Së bashku me besimtaret e tjerë, pavarësisht çdo përkatësie të kësaj bote ulet rreth tryezës mbarë botërorë të përshpirtshmërisë dhe thjeshtësisë.
Ramazani është muaji i bujarisë dhe altruizmit. Çdo ditë e agjërimit e afron njeriun më shumë me ata që kanë nevojë. Empatia e zhvilluar gjatë këtij muaji zbut zemrën e të pasurit, heq zilinë e të varfrit dhe afron shtresat e shoqërisë në një harmoni që e kanë zili edhe engjëjt.
Ky është muaji i agjërimit, fizikisht dhe shpirtërisht. Agjërimi nuk është dietë, por vendosmëri dhe marrëveshje me Zotin e gjithësisë që do të kujdesemi më shumë për shpirtin, trupin dhe njerëzit që na rrethojnë.
Duhet të agjërojmë duke larguar nga jeta jonë thashethemet, xhelozinë dhe smirën.
Duhet të agjërojmë duke i thënë jo korrupsionit, ryshfetit dhe pasurimit në mënyrë jo të lejuar.
Duhet të agjërojmë duke qenë më të kujdesshëm me pasurinë komunitare.
Duhet të agjërojmë duke mos gënjyer, thyer zemra dhe inatosur me njerëzit që na rrethojnë.
Agjërimi sipas Kuranit nuk është vetëm te myslimanët, por edhe në fetë e tjera monoteiste. Mesazh i qartë ky i unitetit në humanizëm dhe vlera universale që kemi me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare të besimeve të tjera.
Në këtë muaj ndodhet një natë e madhe më e vlefshme se 1000 muaj, Nata e Kadri. Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i begatisë dhe harmonisë që sjell kjo natë kur vëren shqiptarë të të gjitha feve që agjërojnë së bashku me vëllezërit dhe motrat e tyre myslimane.
Një këshillë për meshkujt shqiptar që agjërojnë; edhe nënat, motrat dhe bashkëshortet agjërojnë, le ti ndihmojmë ato në përgatitjen e iftarit dhe syfyrit.
Një këshillë për të rinjtë dhe të rejat; shijojeni spiritualitetin e jashtëzakonshëm të ramazanit duke agjëruar dhe lexuar më shumë.
Në emrin tim personal dhe Komunitetit Mysliman Shqiptaro Amerikan i uroj të gjithë shqiptarëve një muaj të begatë, plot mirësi dhe paqe, të mbushur me ndihmë ndaj të varfrit, pasuri të ndarë me nevojtarin, bashkim mes zemrave të thyera, tryeza të mbushura me njerëz të ndryshëm, prosperitet kombëtar dhe mëkate të falura.
Zoti ju bekoftë, Zoti e bekoftë Shqipërinë tonë dhe mbarë njerëzimin. /Lajmi.net/