Drecun: Thaçi dhe Haradinaj kanë të njëjtin qëllim, krijimin e ‘Shqipërisë së madhe’

Serbia vazhdon t’i frikësohet krijimit të “Shqipërisë së madhe”.

Lajme

01/05/2019 12:51

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, gjatë ditës së sotme ka deklaruar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë për qëllim krijimin e “Shqipërisë së madhe”.

Në një intervistë për “TV Pink”, Drecun ka thënë se Thaçi e Haradinaj janë nën ndikimin e fuqishëm të vendeve perëndimore dhe se sipas tij, të dy udhëheqësit shtetëror kosovarë diktojnë Tiranën me qëllimin e krijimit të “Shqipërisë së madhe”, transmeton lajmi.net.

Sipas Drecun, gjithçka që është bërë deri më tani përfshirë edhe formimin e UÇK-së, është bërë për të detyruar Shqipërinë që të pushtojë me forcë siç tha ai, krahinën jugore të Serbisë dhe të fillojë realizimin e projektit të Shqipërisë së Madhe.

“Thaçi dhe Haradinaj kanë synime absolutisht identike. Në këtë fazë po vendos kushte të ndryshme, si për shembull taksën, deklaratën për të parandaluar vazhdimin e dialogut dhe diskutimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Qëllimi është të detyrojë Serbinë të njohë një shtet të vetëshpallur dhe një ditë deklaron unifikimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Drecun.

Sipas tij, pavarësisht se Thaçi dhe Haradinaj mund të kenë qëndrime të kundërta për çështje të tjera, ata janë të bashkuar për sa i përket krijimit të “Shqipërisë së madhe”.

“Në bisedimet e tij me presidentin Aleksandar Vuçiq në Bruksel, Thaçi e kuptoi se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të ishte e mundur, se Vuçiq ishte i papërshtatshëm dhe hapi hapësirë ​​për bisedime. Iniciativa tjetër e presidentit amerikan Donald Tramp për të justifikuar veten para shqiptarëve është gjithmonë një gjysmë zemre”, deklaroi Drecun, transmeton më tutje lajmi.net.

Drecun po ashtu në këtë intervistë ka folur edhe për takimin e Berlinit, që sipas tij, pala kosovare tregoi mungesë respekti dhe në këtë mënyrë nuk u arrit asnjë marrëveshje përpos vazhdimit të dialogut.

“Nuk e kuptoj se si Berlini dhe Parisi e lejuan këtë luks dhe të organizojnë një takim të tillë, i cili, për sa i përket çështjes së Kosovës, nuk ishte i përgatitur mirë”, theksoi Drecun.

Ndryshe, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka deklaruar se në takimin e Berlinit e ka bërë të qartë që Kosova nuk do ta heq taksën dhe se do të vazhdojë dialogun me Serbinë pa asnjë kushtëzim nga pala serbe. /Lajmi.net/