Çështja e nënkryetarëve, Kurti kërkon takim me Hamzën: Duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja – PDK nuk është dashur ta braktisë seancën, shpresoj të vijnë të dielën
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të përmbyllet sa më shpejt, duke vlerësuar se për këtë nevojitet pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike në votimin e nënkryetarëve. Duke komentuar situatën e krijuar pas largimit të PDK-së nga seanca, Kurti ka thënë se kjo parti duhet të rikthehet në…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të përmbyllet sa më shpejt, duke vlerësuar se për këtë nevojitet pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike në votimin e nënkryetarëve.
Duke komentuar situatën e krijuar pas largimit të PDK-së nga seanca, Kurti ka thënë se kjo parti duhet të rikthehet në proces dhe të marrë pjesë në seancën e paralajmëruar për të dielën, transmeton lajmi.net.
“Unë besoj që PDK-ja nuk është dashur ta braktisë procesin e konstituimit të Kuvendit. Shpresoj që të vijnë të dielën, në mënyrë që t’i sjellim edhe këta katër nënkryetarë të tjerë, dhe mandej të procedojmë me qeveri e zgjedhje të presidentit”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, duke shprehur qëndrimin se një skenar i tillë duhet të shmanget. Ai ka argumentuar se zgjedhjet do të sillnin kosto të reja dhe se zgjidhja, sipas tij, duhet të kërkohet përmes një marrëveshjeje politike.
“Po e ritheksoj se duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja, që janë të panevojshme, të përsëritura, të paarsyeshme, të kushtueshme. Dhe për këtë na nevojitet marrëveshja politike”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë ka bërë të ditur se ka tentuar të kontaktojë edhe me kreun e PDK-së, por deri tani nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e tij për takim.
Duke folur për raportin mes dy partive dhe votat që u nevojiten njëra-tjetrës në procesin institucional, Kurti tha:
“PDK-së për ta zgjidhur nënkryetarin nga radhët e saj i nevojiten votat e VV-së, ndërsa VV-së për ta zgjedhur presidentin i nevojitet mungesa e bojkotit apo vota kundër e PDK-së”, tha Kurti.
Sipas tij, kjo situatë krijon nevojë për dialog mes subjekteve politike, në mënyrë që të gjendet një dakordim për çështjet që kanë mbetur pezull.
“Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi. Dua të takohemi, të bisedojmë dhe aty t’i diskutojmë emrat”, përfundoi Kurti./lajmi.net/