Boshllëku i sigurisë në Afganistan

Talibanët janë kaq të fortë sa kurrë që prej fillimit të misionit ndërkombëtar në Afganistan 16 vjet më parë. Për ta stabilizuar gjendjen, SHBA dhe NATO-ja duan të dërgojnë sërish më shumë ushtarë në Afganistan.

Bota

24/05/2017 14:55

Kabuli është plot me burra të armatosur rëndë: me ushtarë, policë, punonjës të shërbimeve të fshehta, roje personale, milicë. Por në këtë rrugë të vogël anësore nuk ka të tillë. Asgjë nuk të thotë këtë mëngjes se terrori dhe frika bëjnë pjesë në jetën e përditshme të njerëzve. Që prej fillimit të vitit në Kabul ka pasur të paktën shtatë atentate të mëdha. Industria e rrëmbimeve po lulëzon. Vetëm pak ditë më parë e humbën jetën në një atentat një afgan roje nate dhe një punonjëse gjermane e ndihmës në zhvillim, në një akt që mendohet se qe përpjekje rrëmbimi. Bomba e fundit e madhe shpërtheu në fillim të majit dhe vrau të paktën tetë civilë – megjithë kontrollet e gjithëpranishme, muret për t’u mbrojtur nga shpërthimet dhe barrierat me tela me gjemba.

Qetësi e gënjeshtërt

Abdul Satar
Shumica e ndihmësve janë larguar nga Afganistani – më e vonta me tërheqjen e trupës luftarake ndërkombëtare. Marangozi 54 vjeçar Abdul Satar merr masë dhe merr zdrukthin, për ta sjellë një copë dru në formën e duhur. Ai bën pjesë në ata me fat, që e kanë një punë. “Gjithmonë kam frikë për gruan dhe fëmijët e mi. Këtu në Kabul në çdo moment mund të të godasë ndonjë bombë”. Marangozi nuk beson se zgjidhja janë një numër më i madh ushtarësh. “Afganistani mund t’i zgjidhë vetëm vetë problemet e tij.”

Shefi i tij, Nazir Ahmad miraton me kokë. Bizneset e tij ecin keq, që kur të huajt janë larguar nga Shar-e-Nawi i qetë.”E çfarë na solli NATO-ja?” pyet i zhgënjyer Naziri. “Dikur këtu kanë qenë më shumë se 130.000 ushtarë të huaj dhe megjithatë lufta vazhdoi.” Sot në Afganistan qendrojnë jo më shumë se 15.000 ushtarë të huaj, shumica janë nga SHBA. Trupat e NATO-s nuk janë me synimin për të luftuar, por për të mbështetur dhe stërvitur rreth 350.000 forcat afgane të sigurisë, të cilat e kanë përgjegjësinë që prej fillimit të 2015-ës. Por nën një mandat të posaçëmm amerikanët zhvillojnë edhe operacione antiterror. Dhe sa më shumë keqësohet gjendja, aq më shumë zhduken kufijtë midis misionit të trajnimit dhe operacionit luftarak.

Papunësi dhe armiqësi

Nazir Ahmad
Afganistani po lëkundet, numri i viktimave civile është në rritje. Vitin e kaluar Kombet e Bashkuara  numëruan rreth 11.500 të vrarë dhe të plagosur. Në 31 nga 34 provincat luftimet vazhduan. Asgjë nuk flet për një përmirësim të gjendjes: në katër muajt e parë të këtij viti, rreth 90.000 afganë u kthyen në refugjatë në vendin e tyre. Vitin e kaluar ishin më shumë se 600.000 vetë. Gjendja po keqësohet edhe sepse dy shtetet fqinje, Irani dhe Pakistani vazhdojnë të dëbojnë në mënyrë masive në Afganistan refugjatë afganë – janë 200.000 vetë vetëm që nga fillimi i këtij viti. Shumë preferojnë të shkojnë në Kabul, qyteti po pëlcet në çdo qoshe nga numri i madh i njerëzve, në periferi të qytetit rriten kampet e refugjatëve.
Afghanistan Birgitta Schülke-Gill und Sandra Petersmann in Kabul (DW)

Nazir Ahmadi bën përgjegjëse për sigurinë qeverinë e Afganistanit. “Ajo grindet për pushtet dhe para, në vend që të interesohet për mirëqënien e njerëzve,” ankohet mjeshtri zdrukthtar dhe shan korrupsionin. “Pse nuk krijojnë vende pune politikanët tanë?”

Afganistani ka mbetur një vend i princave të luftës, edhe pas marshimit të drejtuar nga amerikanët në tetor 2001. Zgjedhjet presidenciale të 2015-ës ishin të falsifikuara, zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 2015-ën janë shtyrë për një kohë të pakufizuar. Fuqi të huaja që nga Kina e deri te Arabia Saudite kërkojnë aleatë në fushën e paqartë të betejës të Afganistanit, për të zbatuar interesat e tyre.

Por edhe talibanët janë të varur njësoj si shteti afgan nga ndihma e huaj. Një konsensus se ç’pamje mund të kishte dikur një Afganistan në paqe, nuk ka. As brenda vendit dhe as jashtë tij. Këtë e kanë dëshmuar katër dekadat e fundit të luftës së vazhdueshme./DW