Bashota me ‘I këndojmë Lirisë’, çoi policinë në zyrën e vet
Dyshimet e prokurorisë janë se ato pasqyra të paraqitura në Raportin e auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ka shkelje sa i përket menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike, raporton lajmi.net.

Lajme
Zyra e kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe disa zyrtarëve të tjerë komunalë, u bastisën nga Policia e Kosovës, duke u bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Kësaj të fundit, një kërkesë për bastisje i kishte shkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, raporton lajmi.net.
Dyshimet e organit të akuzës që çuan në bastisje janë për mospërputhje të pasqyrave financiare të vitit 2014 të komunës së Klinës.
Dyshimet e prokurorisë janë se ato pasqyra të paraqitura në Raportin e auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ka shkelje sa i përket menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike, raporton lajmi.net.
Në faqen zyrtare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, gjendet edhe raporti i publikuar për komunën e Klinës.
Aty shkruan se kjo komunë kishte ndarë 20 mijë euro për organizimin e festivalit tradicional “I këndojm lirisë”, që mbahet më 6,7,8 qershor, por në të cilin vetë kryetari Bashota ishte edhe drejtues i këtij festivali.
Pjesë nga raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të vitit 2014, mbi bazën e të cilit dyshohet se u bastisën zyrat e komunës së Klinës dhe kryetarit Sokol Bashota.
Në dokument shkruan se paratë u derdhën në llogarinë e Festivalit, kurse kryetari çoi vozitësin për tërheqjen e parave për mbulimin e shpenzimeve të festivalit.
ZAP-i ka gjetur se shumë fatura u paguan me para të gatshme e pa u zbatuar asnjë procedurë prokurimi.
Më tej shkruan se dy nga faturat në vlerë gjithsej 646€ janë paguar dyfish, e për drekën në vlerë 3,908 euro nuk kishte fare faturë.
“Gjithsej 660 litra në vlerë 922 euro derivate janë mbuluar nga këto mjete, për veturat private të pjesëmarrësve të ndryshëm në festival dhe për zyrtarët komunalë kurse asnjë aprovim paraprak nuk ekzistonte”.
Raporti vë në dukje edhe shumë pagesa të tjera të cilat janë kryer pa përfillur asnjë procedurë, ku diku janë paguar 2 mijë euro e diku tjetër për dreja e darka edhe 7 mijë të tjera.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale përveç konfirmimit të bastisjeve, nuk jep ndonjë sqarim shtesë.
“Këto bastisje janë duke u zhvilluar sot nga zyrtarë të Policisë së Kosovës – Departamenti Special Antikorrupsion në Prishtinë dhe në këtë rast janë të dyshuar 5 zyrtarë të Komunës se Klinës, të cilët me urdhër të prokurorit do të shoqërohen në polici për tu intervistuar”, deklaroi në komunikatën zyrtare, Prokuroria Speciale.
Kryetari i Klinës, Sokol Bashota, vozitësi i tij dhe një zyrtar komunal i prokurimit ishin sot qendër e bastisjeve nga Policia, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar urdhëresë për bastisje të shtëpive apo banesave të këtyre tre të dyshuarve te cilët dyshohen për kryerjen e veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit dhe konfliktit të interesit./lajmi.net