Këta janë tre gjyqtarët që ia dhuruan fitoren Shqipërisë
Trupi gjykues kishte president Massimo Coccia (Italian), një gjyqtar i emëruar nga vetë - Gjykata për Arbitrazhin sportiv (CAS).
Sport
Kush janë tre gjyqtarët që dhanë sot vendimin në favor të Shqipërisë për ndeshjen me Serbinë?
Trupi gjykues kishte president Massimo Coccia (Italian), një gjyqtar i emëruar nga vetë – Gjykata për Arbitrazhin sportiv (CAS).
Një tjetër gjyqtar është avokat i zgjedhur nga pala shqiptare që ankimoi vendimin e UEFA. Ai është anglezi Philippe Sands QC. Sipas rregullores, CAS ka një listë gjyqtarësh dhe pala që ankimon vendimin e UEFA ka të drejtë të zgjedh njërin prej tyre. Shqipëria vendosi të zgjedhë anglezin Philippe Sands.
“Kemi qenë të bindur në korrektesën e gjyqtarëve anglezë, në faktin që ata janë me të drejtën. Dhe ne ishim të bindur që kishim të drejtë”, thotë për newsbomb.al një nga njerëzit që është marrë me procesin e gjyqit të Shqipërisë kundër Serbisë në Lozanë.
Gjyqtarin e tretë e vendos vetë UEFA, e cila në këtë rast është pala e paditur. Si pala shqiptare që ishte Shqipëria, që zgjodhi gjyqtarin e vet, edhe UEFA ka zgjedhur gjyqtarin e saj. Dhe, ai ka qenë gjermani Martin Schimke.
Por, si është votuar?
Në Tiranë, vendimi i zbardhur ka ardhur me firmat e të tre gjyqtarëve. Por, atje nuk funksionon si në Shqipëri. Mund të ketë ndodhur që një nga gjyqtarët të ketë votuar kundër dhe prapë e firmos vendimin pa shprehur oponencën.
Mund të supozohet se gjyqtari i vendosur nga UEFA, Martin Schimke, ka votuar kundër Shqipërisë edhe për faktin se duhet të mbronte UEFA-n që e zgjodhi në këtë detyrë. Por, askush nuk e di në Shqipëri, nëse gjyqtari që zgjodhi Shqipëria, pra Anglezi Philippe Sands ka votuar pro ose kundër. Megjithatë, zërat janë se kanë votuar të tre gjyqtarët pro.
Madje, mendohet se edhe gjyqtari gjerman i UEFA-s ka votuar pro dhënies së tre pikëve Shqipërisë.
Gjithsesi, pavarësisht hipotezave që po hidhen një gjë është e qartë: vota më e paqartë ka qenë ajo e presidentit të trupit gjykues, Massimo Coccia. Italiani, dukshëm dhe pa asnjë dyshim ka votuar në favor të tre pikëve për Shqipërinë.
Skedat e tre gjyqtarëve të Arbitrazhit:
Massimo Coccia, president: Partner në firmën ligjore “Coccia De Angelis & Associati Pardo”. Puna e tij është e fokusuar në ligjin e sportit dhe atë komercial, si në nivel kombëtar por mbi të gjitha në atë ndërkombëtar. Ai ka një përvojë të konsiderueshme në fushën e arbitrazhit dhe është nominuar shpesh si këshilltar ose arbitër në gjykatat italiane dhe ato ndërkombëtare.
Philippe Sands QC, gjyqtar: Është një profesor anglo-francez i ligjit ndërkombëtar në Universitetin e Londrës. Ai ka botuar disa libra ku akuzon edhe ish-presidentin George W. Bush si dhe ish-kryeministrin Tony Blair për luftën në Irak. Ai është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv “CAS”.
Martin Schimke, gjyqtar: Është një këshilltar dhe anëtar i firmës “Sports Group”. Ai rekomandohet në Gjermani si një ndër juristët më të mirë në fushën e drejtësisë sportive. Në vitin 2009 ai është emëruar si një nga 20 juristët me më shumë ndikim në botë. Ai është anëtar i Komitetit Ligjor dhe atij Anti-Doping Gjerman. /Newsbomb/