Kosova çmon bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, kanë pritur në takime të ndara ambasadoren e Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal tw Zi, jorezidente për Kosovën, Hafsa Abdullah Mohammed Sharif Al Ulama, me tw cilwn diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Lajme

01/04/2015 15:40

Presidentja Jahjaga gjatë takimit me ambasadoren e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), vlerësoi se marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë shumë të mira dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Sipas një komunikate të Zyrës së Presidencës së Kosovës, thuhet se e para e vendit çmoi lartë mbështetjen që Emiratet i kanw dhënë Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.

Presidentja Jahjaga e uroi ambasadoren Hafsa Abdullah Mohammed Sharif Al Ulama për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të suksesshme gjatë mandatit të saj si ambasadore jorezidente e Emirateve të Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës.

Ambasadorja Al Ulama, e cila i dorëzoi letrat kredenciale presidentes Jahjaga, shprehu përkushtimin e vendit të saj për të thelluar dhe fuqizuar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në çdo sferë me interes dypalësh.

Ndihmën për shtetndërtimin e Kosovës të dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e vlerësoi edhe kryeministri Isa Mustafa.

Ai gjatë takimit me ambasadoren shprehu vullnetin për thellim të bashkëpunimit me këtë shtet, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.

Edhe ambasadorja Al Ulama shprehu përkushtimin e shtetit të saj, për të fuqizuar bashkëpunimin me Kosovën, duke shprehur angazhimin e saj për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.