Mustafa priti familjarë të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë pas luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të premten në takim familjarë të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë pas luftës në Kosovë.

Lajme

13/03/2015 15:55

Kryeministri Mustafa i falënderoi familjarët e veprimtarëve të LDK-së për vizitën e tyre, duke çmuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm që këto personalitete të shquara të lëvizjes për liri, kanë dhënë për lirinë dhe demokracinë në Kosovë, kontribut që po çmohet brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës, thuhet në një komunikatë për media të Zyra për informim e Qeverisë.

Kryeministri Mustafa po ashtu i siguroi për angazhimin e tij për të kontribuuar në çdo formë për zbardhjen e vrasjes së këtyre personaliteteve të shquara dhe për statusin e tyre.

Familjarët e veprimtarëve të LDK-së, uruan kryeministrin Mustafa për detyrën, duke theksuar se është koha e fundit që sistemi i drejtësisë në vend, të zbardh vrasjet e veprimtarëve të LDK-së si dhe që të trajtohet statusi i tyre.