Kryeministri Mustafa në Tiranë: Të thellohet bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është pritur fillimisht në një ceremoni zyrtare nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Të dy kryeministrat kanë biseduar për mbledhjen e përbashkët që do të mbahet më 23 mars në Tiranë.

Lajme

09/03/2015 10:53

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun kosovar, Kryeministri Rama u shpreh se “ajo që na takon është të çojmë deri në fund rrugët e bashkëpunimit mes sipërmarrjes këtej dhe andej kufirit, me ambicien që kufiri të mos jetë një pikë doganore ndërkombëtare, por një pikë kalimi ku të gjitha autoritetet dhe licencat që kërkohen në pikat e kalimit kufitar të jenë të unifikuara”.

Ai përshëndeti gjithashtu progresin në konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe theksoi se, “janë bërë hapa me rëndësi drejt bashkërendimit të forcave në rrugën tonë drejt BE-së”. Gjithashtu, kryeministri Rama theksoi se, në takim u diskutua për mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Ndërsa, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e çmueshme që ka dhënë Shqipëria për Kosovën. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për njohje të reja, sidomos nga vendet e BE-së. Mustafa po ashtu ka vlerësuar mbështetjen e qeverisë shqiptare në këtë drejtim, duke shtuar se mes të dyja vendeve duhet të forcohet bashkëpunimi ekonomik.

Gjatë kësaj vizite, e para në cilësinë e kryeministrit, Mustafa do të takohet me krerët më të lartë të vendit, presidentin Bujar Nishani, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, etj.