Dogana e Kosovës konfiskon cigare në vlerë 6 mijë euro
Njësitet e Doganave të Kosovës kanë arritur të parandalojnë kontrabandimin e një sasie të konsiderueshme të duhanit, me vlerë mbi 6 mijë euro. I dyshuari në veturën e të cilët është gjetur duhani, gjatë tentimit për ikje ka pësuar aksident me veturë.

Lajme
Sipas një komunikate lëshuar nga Doganat gjatë patrullimit rutinor oficerët kanë vërejtur një automjet: VW Golf 4, ngjyrë hiri, me targa të Kosovës dhe me xhama të errët.
“Oficerët kanë filluar përcjelljen ashtu që ta ndalojnë për kontroll. Drejtuesi i veturës menjëherë ka filluar te rris shpejtësinë ashtu që t’i shmanget kontrolli. Gjatë ndjekjes është lajmëruar Policia e Kosovës për asistencë në ndaljen e të dyshuarit”.
“Automjeti i dyshuar ka vazhduar rrugën në drejtim të Prishtinës, por drejtuesi i automjetit pasi ka vërejtur njësitë e Policisë menjëherë ka bërë kthim, dhe me të vërejtur që nuk ka zgjidhje tjetër godet automjetin e doganës me shpejtësi të madhe ku edhe ndalet automjeti i dyshuar”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu bahet e ditur se i dyshuari ka pësuar lëndime pas përplasjes së makinës, ku më pas i është ofruar edhe ndihma mjekësore.
Pas kontrollimit të automjetit janë gjetur 10 pako x 50 Boxa , gjithsej 100 mijë cigare Merilyn Slims pa banderola me vlerë të përafërt 6 mijë euro.
Tërë sasia e cigareve si dhe automjeti janë konfiskuar. Rasti ka vazhduar për hetime dhe përgatitje të kallëzimit penal.