Hetohet Prokuroja që kërkoi arrest shtëpiak për Gecin

Prokurorja Vahide Badivuku po hetohet lidhur me kërkesën e saj për ndryshimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për Gani Gecin.

Lajme

15/01/2015 13:30

Prokurorja Vahide Badivuku nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë po hetohet në lidhje me kërkesën që kishte bërë për lirimin nga paraburgimi të ish deputetit Gani Geci, i cili akuzohet për vrasje, mëson Politiko.net.

Geci është liruar nga paraburgimi më 21 nëntor të vitit të kaluar dhe masa i është zëvendësuar me arrest shtëpiak.

Vendimi për arrest shtëpiak ka shkaktuar reagime tek organet përgjegjëse të drejtësisë dhe si rezultat Zyra e Prokurorit Disiplonor ka hapur hetim ndaj Prokurores Badivuku, e cila ka propozuar ndryshimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, me arsyetimin se i dyshuari Geci ka qenë i kërcënuar në burg.

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD), Zef Prendrecaj, ka konfirmuar për Politiko.net hapjen e hetimeve ndaj Prokurores Badivuku, por nuk ka dashur që të jap më shumë informacione, me arsyetimin se mund të ndikojë në hetime dhe në dëmtimin e imazhit të Prokurores Badivuku.

“Sipas detyrës zyrtare, ZPD ka hapur hetim disiplinor ndaj Prokurores Vahide Badivukut, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, lidhur me rastin e të akuzuarit Gani Gecit”, ka thënë Prendrecaj, duke mos dhënë më shumë hollësi për rastin.

Hetimi nga ZPD ndaj Prokurores Badivuku po bëhet për të parë nëse dikush ka pasur ndikim nga brenda apo jashtë që të ndërpritet paraburgimi për të akuzuarin Geci.

Ndryshimi i masës së paraburgimit me arrest shtëpiak është bërë me kërkesë të Prokurorisë, ndërkaq vendimi është marrë nga një gjyqtar i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Ish deputeti Geci është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që ka ndodhur me 4 gusht të vitit 2014, në një kafiteri në qendër të Skenderajt, raporton Politiko.net.