Irani humbi, por feston

Irani humbi nga Argjentina, vetëm falë golit fantastik nga Lionel Messi në minutat shtesë të ndeshjes. Mirëpo, në Iran të gjithë duket se janë ndarë të kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe kanë dalë në rrugë për të festuar.

Sport

22/06/2014 11:28

Irani befasoi me lojë të mirë në ballafaqim me yjet e Argjentinës, duke pësuar humbje vetëm në minutat shtesë falë një momenti të magjishëm nga Lionel Messi.

Sulmuesi arriti që të gjunjëzojë Iranin, edhe pse gjatë gjithë ndeshjes gjiganti nga Amerika e Jugut pati vështirësi të mëdha që të shënonte gol në kuadër të ballafaqimit të vlefshëm për rrethin e dytë në Grupin F të Kampionatit botëror në Brazil.

Messi, Sergio Aguero, Gonzalo Higuain e më pas edhe Rodrigo Palacio e Ezequiel Lavezzi nuk arritën të shënojnë deri në minutat shtesë kur Messi e gjeti golin në mënyrë të jashtëzakonshme me një goditje të saktë nga distanca.

Pas ndeshjes, selektori i Iranit, Carlos Queiroz tha se ndihet krenar për paraqitjen e futbollistëve të tij. Dhe, krenarë duket se ndihen edhe në Iran sepse pas ndeshjes një numër i madh i tifozëve kanë dalë në rrugë për të festuar paraqitjen e mirë të ekipit. Paramendoni nëse do të kishin fituar…