Nushi e përshëndet paraqitjen e Kosovës

Kristian Nushi e ka përshëndetur paraqitjen e Përfaqësueses së Kosovës, përkundër humbjes nga Senegali, 3:1. Mesfushori kosovar mendon se me punë, ekipi i Albert Bunjakut mund të arrijë shumë.

Sport

25/05/2014 22:53

Përfaqësuesja e Kosovës pësoi humbje 3:1 nga Senegali të dielën në Gjenevë, por kjo nuk nënkupton se ekipi i Albert Bunjakut shfaqi lojë të dobët.

Madje, Kristian Nushi insiston se Kosova bëri paraqitje të mirë dhe se mund të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.

“Unë po mendoj se ishte një paraqitje e mirë. Në pjesën e parë shkoi mirë, por në të dytën i morëm dy gola të shpejtë, kjo nuk na duhej”, deklaroi fillimisht futbollisti gjakovar.

“Përderisa jemi të organizuar, gjithçka shkon mirë, por sapo fillojmë të hapemi, e humbim organizimin. Senegali ka qenë i shkëlqyeshëm. Mendoj se me punë mund të arrijmë shumë”, përfundoi Nushi.