888poker braktis Suarezin

Kompania 888poker ka anuluar marrëveshjen me sulmuesin e Uruguait, Luis Suarez pas dënimit të tij nga FIFA për kafshimin e mbrojtësit të Italisë, Giorgio Chiellini në ndeshjen e Grupit D në Kampionatin botëror.

Sport

27/06/2014 12:06

Kompania e pokerit 888poker ka anuluar marrëveshjen e sponsorimit me sulmuesin Luis Suarez pasi sulmuesi i Uruguait u dënua për katër muaj mos ushtrim të asnjë aktiviteti të futbollit pasi kafshoi një kundërshtar në një ndeshje të Kampionatit botëror.

Suarez u bë ambasador i kompanisë së basteve online, vetëm muajin e kaluar.

“888poker arriti marrëveshje me Luis Suarezin pas një sezoni fantastik kur arritjet e tij morën mirënjohje”, njoftoi kompania.

“Për fat të keq, pas veprimeve të tij gjatë Kampionatit botëror në ndeshjen kundër Italisë të martën, 888poker ka vendosur të anulojë marrëveshjen me Luis Suarezin me efekt të menjëhershëm”.

Suarez mori dënimin më të rëndë të shqiptuar ndonjëherë gjatë një Kampionati botëror. Ai e kafshoi mbrojtësin e Italisë, Girgio Chiellini dhe është dënuar me nëntë ndeshje moslojë për Uruguain dhe katër muaj suspendim nga çfarëdo aktiviteti të futbollit.

Ai nuk ka të drejtë as të hyjë në stadiume.