70 mijë azilkërkues kosovarë në BE!
Sipas Raportit të Zyrës Mbështetëse Evropiane për Azil (EASO) në BE kërkuan azil rreth 70 mijë kosovarë gjatë pesë viteve të fundit. Kërkesa për azil konsiderohet nga analistët si “kancer” për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Lajme
Pamundësia për të siguruar një mirëqenie sociale në vendlindje po i shtynë mijëra kosovarë që në forma të ndryshme të shkojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me shpresë se do t’u lejohet qëndrimi në ato vende, shkruan “Zëri”.
Në bazë të të dhënave të institucioneve ndërkombëtare mbi njëzet mijë kosovarë janë azilkërkues në vendet e BE-së.
Sipas ekspertëve të proceseve të integruese, kjo duhet të jetë shqetësuese për institucionet kosovare, pasi, sipas tyre, ky fakt mund të ketë ndikim negativ në procesin e liberalizimit të vizve për Kosovën.
Madje, siç thonë ata, gjasat që kosovarëve t’u njihet statusi i azilantit në vendet e BE-së janë minimale, prandaj u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve të caktuar, që premtojnë se do t’ua rregullojnë dokumentacionet e nevojshme për të siguruar qëndrim dhe punësim në ato vende.