4 tetori i jep fund mandatit të Haxhiut si U.D. Presidente, 6 tetori afati për zgjedhjen e Presidentit – çfarë ndodh mes dy datave?

Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës Albulena Haxhiu mund të ushtrojë detyrën e Presidentes së Kosovës si ushtruese e detyrës. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të 23 shtatorit, ka përcaktuar se Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 6 tetor 2026. Sipas Gjykatës, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit…

Lajme

23/09/2026 19:30

Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës Albulena Haxhiu mund të ushtrojë detyrën e Presidentes së Kosovës si ushtruese e detyrës.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të 23 shtatorit, ka përcaktuar se Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 6 tetor 2026. Sipas Gjykatës, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht.

Kjo do të thotë se kemi dy data të ndryshme: 4 tetori, kur përfundon afati gjashtëmujor i Haxhiut si U.D. Presidente, dhe 6 tetori, kur përfundon afati për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Në të njëjtin vendim, Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor. Sipas Gjykatës, me kalimin e këtij afati kanë nisur edhe afatet për zgjedhjen e Presidentit dhe formimin e Qeverisë.

Pikërisht këtu lind pyetja: çfarë ndodh më 5 tetor, nëse afati gjashtëmujor i Haxhiut si U.D. Presidente ka përfunduar, ndërsa Presidenti i ri ende nuk është zgjedhur?

Për këtë çështje, lajmi.net kishte marrë më herët qëndrimet e dy njohësve të çështjeve kushtetuese. Deklaratat e tyre janë dhënë para vendimit të ri të Gjykatës Kushtetuese dhe lidhen me situatën që do të krijohej nëse përfundon afati gjashtëmujor i ushtrimit të detyrës së Presidentit.

Kolë Krasniqi, profesor i shkencave penale – njohës i çështjeve kushtetuese, kishte thënë për lajmi.net se përfundimi i gjashtë muajve nuk e zgjat automatikisht afatin e ushtrueses së detyrës dhe nuk do të thotë vetvetiu se Kuvendi shpërndahet.

“Nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet Presidenti i ri, kjo nuk e zgjat vetvetiu afatin e ushtrueses së detyrës dhe nuk sjell automatikisht shpërndarjen e Kuvendit. Neni 90, paragrafi 3, i Kushtetutës përcakton se posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj. Pas përfundimit të këtij afati, vazhdimi i ushtrimit të kompetencave nga ushtruesja e detyrës do të ishte juridikisht i kontestueshëm”, kishte deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, Kushtetuta nuk e përcakton qartë se kush do t’i ushtrojë kompetencat presidenciale nëse gjashtë muajt përfundojnë pa u zgjedhur Presidenti i ri.

“Kushtetuta ia beson ushtrimin e përkohshëm të detyrës së Presidentit Kryetarit të Kuvendit, por nuk përcakton shprehimisht kush i ushtron kompetencat presidenciale nëse afati gjashtëmujor përfundon pa u zgjedhur Presidenti i ri. Prandaj, nuk ka bazë të qartë për të pohuar se ato kompetenca kalojnë automatikisht te një nënkryetar i Kuvendit ose te një zyrtar tjetër. Kjo paqartësi mund të krijojë vështirësi serioze në funksionimin e institucionit të Presidentit”, kishte thënë ai.

Krasniqi kishte vlerësuar se një çështje e tillë mund të kërkonte sqarim nga Gjykata Kushtetuese, nëse para saj do të paraqitej një kërkesë e pranueshme.

“Gjykata Kushtetuese mund ta sqarojë çështjen nëse para saj paraqitet një kërkesë e pranueshme nga një subjekt i autorizuar – ngase Gjykata nuk ndërhyn automatikisht në këtë rast. Nga ana tjetër, shpërndarja e Kuvendit sipas nenit 86, paragrafi 6, lidhet shprehimisht me dështimin e votimit të tretë për zgjedhjen e Presidentit. Vetëm kalimi i datës 4 tetor nuk mund të barazohet me dështimin e atij votimi”, kishte deklaruar Krasniqi për lajmi.net.

Ai kishte paralajmëruar se një situatë e tillë mund të ndikonte në ushtrimin e kompetencave të Presidentit.

“Nëse situata mbetet e pazgjidhur, pasiguria mund të ndikojë në ushtrimin e kompetencave presidenciale, përfshirë shpalljen e ligjeve, emërimet dhe përfaqësimin e shtetit. Për këtë arsye, Kuvendi duhet ta përmbyllë me urgjencë procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Nëse lind një kontest kushtetues, subjektet e autorizuara duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim”, kishte thënë ai.

Ndërsa Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), kishte theksuar se Kushtetuta nuk lejon që ushtrimi i detyrës së Presidentit të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.

“Kushtetuta është e qartë në një pikë relevante me temën: ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj. Në rastin konkret, ky afat ka filluar më 4 prill dhe përfundon më 4 tetor. Neni 90.3 i Kushtetutës përcakton shprehimisht se pozita e U.D. Presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”, kishte deklaruar Kolshi për lajmi.net.

Sipas tij, më 5 tetor Haxhiu nuk do të mund ta vazhdojë ushtrimin e detyrës nëse deri atëherë nuk është zgjedhur Presidenti i ri.

“Me 5 tetor, nëse deri atëherë nuk është zgjedhur Presidenti i ri, znj. Haxhiu nuk do të mund ta vazhdojë ushtrimin e detyrës së Presidentes. Ky kufizim gjashtëmujor lidhet me ushtrimin e pozitës së U.D. Presidentit dhe nuk mund të “resetohet” përmes rizgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit apo thjesht përmes ndërrimit të personit që mban këtë pozitë”, kishte thënë ai.

Kolshi kishte theksuar se paqartësia kryesore qëndron te mungesa e një rregullimi të qartë për situatën pas përfundimit të gjashtë muajve.

“Problemi është se Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht situatën se kush e merr ushtrimin e detyrës pasi të jetë konsumuar periudha maksimale gjashtëmujore. Rregullimet kushtetuese e përcaktojnë Kryetarin e Kuvendit si U.D. President, ndërsa parashikon edhe zëvendësimin e Kryetarit të Kuvendit nga nënkryetarët në rrethana të caktuara, për punët në Kuvend, por nuk ekziston një dispozitë që krijon një mandat të ri gjashtëmujor për një person tjetër pas skadimit të afatit të parë”, kishte deklaruar Kolshi.

Sipas tij, nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 tetor, vendi do të përballej me një situatë të pazgjidhur kushtetuese dhe institucionale.

“Prandaj, nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 tetor, gjë që nuk po duket as në horizont për shkak të problemeve të qëllimshme në konstituimin e Kuvendit, vendi do të përballej me një krizë të pashpjegueshme kushtetuese dhe institucionale. Kush do t’i emëronte gjyqtarët dhe prokurorët? Kush do t’i shpallte zgjedhjet? Kush do t’i emëronte shefat e misioneve diplomatike? Kush do t’i emëronte gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese? Këto do të ishin vetëm disa nga pyetjet e shumta që do të mbeteshin pa përgjigje të qartë, krahas shumë problemeve të tjera që do të mund të paralizonin funksionimin normal të shtetit”, kishte thënë ai.

Kolshi kishte theksuar se krijimi i vazhdueshëm i afateve të reja gjashtëmujore nuk do të ishte zgjidhje.

“Nuk do të ishte juridikisht e qëndrueshme e as e logjikshme që të krijohen vazhdimisht afate të reja gjashtëmujore, sepse kjo do ta bënte të pakuptimtë kufizimin e nenit 90.3.”

“Në këtë kuptim, mekanizmi kushtetues për shmangien e vakumit është para së gjithash zgjedhja e Presidentit brenda afateve kushtetuese. Nëse kjo nuk ndodh dhe krijohet kjo situatë e paprecedentë, çështja mbase do të kërkonte interpretim kushtetues, ku roli i Gjykatës Kushtetuese do të ishte vendimtar për të përcaktuar mënyrën e sigurimit të vazhdimësisë institucionale pa cenuar kufizimin e qartë gjashtëmujor të Kushtetutës, por gjithmonë duke ruajtur praktikën kushtetuese”, kishte thënë Kolshi për lajmi.net.

Ndërkaq, në vendimin e saj këtë të mërkurë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se deputetët duhet që sa më shpejt të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se vendimi i 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 6 tetori është dita e fundit e afatit 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të ri. /Lajmi.net/