Familjet e Thaçit, Veselit e Krasniqit i përgjigjen Haxhiut: Takimi të mbahet pas vendimit të Kuvendit

Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit i janë përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për takim pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Përmes një letre të publikuar nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, familjet kanë vlerësuar ftesën e Haxhiut, por kanë kërkuar që takimi…

Lajme

23/09/2026 18:54

Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit i janë përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për takim pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Përmes një letre të publikuar nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, familjet kanë vlerësuar ftesën e Haxhiut, por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet pasi Kuvendi i Kosovës të marrë një vendim lidhur me këtë çështje.

Në letër, familjet kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar, ndërsa kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj procesit gjyqësor në Hagë.

“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet në letër.

Familjet kanë theksuar se e vlerësojnë ftesën e Haxhiut, por kanë kërkuar që takimi të mos zhvillohet para se Kuvendi të marrë një vendim.

“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letër.

Familjet kanë përsëritur gjithashtu thirrjen për përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit në raport me Dhomat e Specializuara. /Lajmi.net/