ZKA nis auditimin për ujin e pijshëm, në fokus Prishtina dhe rajoni i Jugut

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e performancës për efektivitetin e monitorimit dhe mbikëqyrjes së furnizimit me ujë të pijshëm në Kosovë. Auditimi përfshin periudhën janar 2024 – shtator 2026 dhe synon të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse po marrin masat e duhura për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe ujë të sigurt për…

Lajme

19/11/2026 16:10

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e performancës për efektivitetin e monitorimit dhe mbikëqyrjes së furnizimit me ujë të pijshëm në Kosovë.

Auditimi përfshin periudhën janar 2024 – shtator 2026 dhe synon të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse po marrin masat e duhura për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe ujë të sigurt për qytetarët.

Në fokus të këtij procesi do të jetë Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), ndërsa si raste studimi janë përzgjedhur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” dhe “Hidroregjioni Jugor”.

Auditimi do të përfshijë edhe proceset e monitorimit të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Sipas ZKA-së, përmes këtij auditimi synohet të identifikohen mangësitë në mbikëqyrjen e furnizimit me ujë, si dhe rreziqet që mund të cenojnë sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

Ky proces po realizohet në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2026-2027, në koordinim me Iniciativën për Zhvillim të INTOSAI-t, dhe ndërlidhet me Objektivin 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, për qasje në ujë të sigurt për të gjithë. /Lajmi.net/